Kryeministri japonez Fumio Kishida ftoi për drekë ministrat e tij të mërkurën dhe në tryezë u kishte shtruar salmon të kapur në Prefekturën e Fukushimës, ku u derdhën në det ujëra radioaktivë të trajtuar, marrë nga centrali bërthamor i Fukushimës i shkatërruar vite më parë nga një cunami.
Pas vendimit të qeverisë japoneze për të derdhur ujërat në det, Kina vendosi të ndalojë tregtimin në vend të të gjitha produkteve detare që vinin nga Japonia.
Në provën e salmonit ishin të pranishëm ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Industrisë, Yasutoshi Nishimura, ministri i Politikave të Fëmijëve, Masanobu Ogura, dhe ministri i Financave. Atyre iu shërbye salmon, oktapod dhe peshq të tjerë të kapur në ujërat pranë Fukushimës.
Japonia nisi derdhjen e ujërave më 24 gusht, si pjesë e operacionit për mbylljen përfundimtare të centralit bërthamor, i cili u godit nga cunami në vitin 2011, duke shkaktuar incidentin më të madh bërthamor në botë që prej atij të Çernobil 25 vite më parë.
Të dielën, Ministria e Ambientit tha se testet e kryera në det, pranë stacionit, nuk kanë pikasur radioaktivitet. Edhe organizata shkencore japoneze thonë se uji është i sigurt, pasi i janë hequr të gjithë elementet radioaktive.