Ujqërit mutantë që jetojnë në rrugët e shkretuara të Çernobilit mesa duket janë rezistentë ndaj kancerit. Ky fakt, po rrit shpresat se shkencëtarët mund të gjejnë tashmë mënyra të tjera për ta luftuar sëmundjen te njerëzit.
Një reaktor nuklear shpërtheu në centralin bërthamor të Ukrainës në vitin 1986, duke bërë që më shumë se 100 mijë njerëz të evakuohen nga qyteti pasi nga shpërthimi u çlirua rrezatim që shkakton kancer.
Zona ka mbetur e braktisur që prej atëherë dhe me vendosjen e asaj që quhet Zona e Përjashtimit (CEZ), njerëzit e kanë të ndaluar që të futen në një sipërfaqe prej 2589.99 km katrorë pasi rrezatimi vijon të jetë i rrezikshëm.
Por, edhe pse njerëzit nuk janë kthyer, jeta e egër ka lulëzuar në qytetin që u evakuua mbi 35 vite më parë.
Cara Love, biologe evolucionare dhe ekotoksikologe në Universitetin Princeton në SHBA, pres disa vitesh tashmë vëzhgon sesi ujqërit e Çernobilit mbijetojnë pavarësisht ekspozimit për breza me radhë ndaj grimcave radioaktive.
Love dhe një ekip studiuesish vizituan CEZ-in në vitin 2014 dhe i vendosën ujqërve gjurmues në qafë në mënyrë që të monitoroheshin lëvizjet e tyre.
Ajo tha se qaforet i japin ekipit “matjet në kohë reale se ku janë ujqërit dhe ndaj çfarë sasie rrezatimi janë të ekspozuar”. Po ashtu, ekipi ka marrë mostra gjaku për të kuptuar sesi trupat e ujqërve reagojnë ndaj rrezatimit që shkakton kancer.
Studiuesit zbuluan se ujqërit e Çernobilit janë të ekspozuar ndaj rrezatimit mbi 11.28 milirem çdo ditë gjatë gjithë jetës së tyre – që është mbi gjashtë herë më shumë se kufiri ligjor i sigurisë për një njeri.
Biologia tregon se ujqërit e kanë përshtatur sistemin imunitar njëlloj si pacientët me kancer që i nënshtrohen trajtimit me rrezatim, por më e rëndësishmja, ajo identifikoi gjithashtu pjesë specifike të informacionit gjenetik të kafshëve që dukeshin “elastike” ndaj rritjes së rrezikut të kancerit.
Shumë kërkime te njerëzit kanë gjetur mutacione që rrisin rrezikun e kancerit – me praninë e variantit të gjenit BRCA që e bën më të mundshëm që një grua të zhvillojë kancer gjiri ose vezore, për shembull.
Por, Love në fakt po kërkon të identifikojë mutacionet mbrojtëse që rrisin shanset për të mbijetuar nga kanceri.
Pandemia dhe pushtimi i Rusisë në Ukrainë e kanë penguar Cara-n dhe bashkëpunëtorët e saj të kthehen në CEZ vitet e fundit.
Megjithatë, ajo i prezantoi gjetjet e saj në takimin vjetor të Shoqatës së Biologjisë Integruese dhe Krahasuese në Seattle, Uashington, muajin e kaluar.