Kryeministri Edi Rama ka reaguar pas sulmit të Rusisë ndaj Ukrainës në orët e para të mëngjesit, ku thotë se qeveria shqiptare bashkohet me NATO-n dhe aleatët e BE-së.
“Ne bashkohemi me NATO-n dhe aleatët e BE-së në dënimin e ashpër të agresionit të Rusisë. Mendimet tona janë me popullin ukrainas”,- shkruan Rama.
Më herët, edhe ministrja e Mbrojtjes Olta Xhaçka konfirmoi mbështetjen e Shqipërisë për aleancën veri-atlantike, duke paralajmëruar Rusinë të tërhiqej nga synimet për agresion.
Reagim ka pasur edhe nga Presidenti Meta.
“Shqipëria dënon sulmin e pajustifikueshëm të Rusisë ndaj Ukrainës, duke shkelur ligjin ndërkombëtar dhe duke kërcënuar jetën e civilëve të pafajshëm. I bëjmë thirrje Rusisë të tërhiqet nga veprimet ushtarake kundër integritetit territorial dhe sovranitetit të Ukrainës! Shqipëria qëndron me Ukrainën dhe popullin e saj në këtë orë të errët!”, shkruan ai.
Edhe Lulzim Basha e dënoi në emër të PD-së sulmin rus ndaj Ukrainës.
“Një shkelje e rëndë e ligjit ndërkombëtar. Ne qëndrojmë pranë popullit të Ukrainës ndërsa ata përballen me kërcënime për jetën e tyre nga agresioni i paprovokuar rus. Ne bëjmë thirrje dhe mbështesim një reagim të shpejtë, të bashkuar dhe të fortë nga OKB, NATO dhe BE kundër ndaj akti lufte kundër lirisë dhe sovranitetit të Ukrainës dhe kundër paqes dhe stabilitetit në Europë dhe më gjerë”, shkruan ai.
Në emër të Lëvizjes Socialiste për Integrim ka reaguar Monika Kryemadhi.
“Shpreh solidaritetin e plotë me Ukrainën dhe popullin e saj. Ne dënojmë me forcë sulmin brutal nga forcat militare të Rusisë mbi ta, dhe qëndrojmë të vendosur me aleatët dhe partnerët tanë në NATO dhe BE, për një përgjigje të përbashkët dhe definitive, që garanton paqen dhe sigurinë e popullit të Ukrainës dhe botës”, thotë ajo.