Aktualitet Ukraina dhe radioaktiviteti që fle nën tokën e saj: Pse Rusia mori...

Ukraina dhe radioaktiviteti që fle nën tokën e saj: Pse Rusia mori kontrollin e Çernobilit?

Forcat ruse dhe ukrainase luftuan të enjten për kontrollin e Çernobilit, vendi ku në vitin 1986 ndodhi incidenti më i rëndë bërthamor që u bë më pas një nga faktorët që shtyu Bashkimin Sovjetik drejt shpërbërjes.

“Ushtarët tanë po japin jetën e tyre që tragjedia e vitit 1986 të mos përsëritet”, shkroi presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskiy në Twitter përpara se termocentrali i dikurshëm bërthamor, të vihej nën kontrollin e forcave ruse.

Niveli rrezatimit nga centrali bërthamor i Çernobilit është rritur, sipas Agjencisë bërthamore të Ukrainës, si edhe Ministrisë së Brendshme në vend.

Megjithatë, rrezatimi nuk është ende alarmant sipas tyre.

Ekspertët nuk raportuan nivelin e saktë të rrezatimit, por thanë se ndryshimi ndodhi për shkak të lëvizjes së pajisjeve të rënda ushtarake në zonë, duke ngritur pluhurin radioaktiv në ajër.

“Rrezatimi po fillon të rritet. Nuk është kritike për Kievin për momentin, por po e monitorojmë në vazhdim”, tha Ministria e Brendshme.

Më herët të premten, Rusia tha se po e mbante nën kontroll centralin bërthamor të Çernobilit për ta “mbrojtur nga terroristët ukrainas”.

Por pse do t’i duhej dikujt një termocentral jofunksional, i rrethuar nga kilometra të tërë tokë radioaktive?

Përgjigja është gjeografia: Çernobili ndodhet në rrugën më të shkurtër nga Bjellorusia në Kiev, kryeqyteti i Ukrainës, dhe kështu shkon përgjatë një linje logjike sulmi për forcat ruse që pushtojnë Ukrainën.

Në vënien në kontroll të Çernobilit, analistët ushtarakë perëndimorë thanë se Rusia thjesht po përdorte rrugën më të shpejtë të pushtimit nga Bjellorusia, një aleate e Moskës dhe një terren për trupat ruse.

Jack Keane, ish-shef i shtabit të ushtrisë amerikane, tha se Çernobili “nuk ka ndonjë rëndësi ushtarake”, por ndodhet në rrugën më të shkurtër nga Bjellorusia në Kiev, objektivi i strategjisë ruse për të rrëzuar qeverinë ukrainase.

Kjo rrugë është një nga katër “akset” që forcat ruse përdorin për të pushtuar Ukrainën, duke përfshirë një vektor të dytë nga Bjellorusia, një avancim në jug në qytetin ukrainas të Kharkiv dhe një tjetër në veri nga Krimea, e kontrolluar nga Rusia, në qytetin Kherson.

Ofensivat e kombinuara së bashku përbëjnë sulmin më të madh ndaj një shteti evropian që nga Lufta e Dytë Botërore.

Marrja e Çernobilit ishte pjesë e planit rus. Reaktori i katërt në Çernobil, 67 milje (108 km) në veri të kryeqytetit ukrainas Kiev, shpërtheu në prill 1986 gjatë një testi sigurie, duke shpërndarë re radioaktive në pjesën më të madhe të Evropës dhe në lindje të Shteteve të Bashkuara.

Stronciumi radioaktiv, ceziumi dhe plutoniumi prekën kryesisht Ukrainën dhe Bjellorusinë fqinje, si dhe pjesë të Rusisë dhe Evropës. Numri total i vdekjeve direkte dhe indirekte nga kjo katastrofë mendohet të jetë rreth 93 000.

Autoritetet sovjetike fillimisht u përpoqën të mbulonin katastrofën dhe nuk e pranuan menjëherë shpërthimin, çka dëmtoi imazhin e liderit reformist sovjetik Mikhail Gorbachev dhe politikën e tij të gllasnostit për hapje më të madhe në shoqërinë sovjetike. Në vitet pasardhëse, katastrofa u pa si një nga arsyet e  rënies së Bashkimit Sovjetik.

Katër termocentrale aktive bërthamore të Ukrainës paraqesin rrezik më të madh se Çernobili, i cili ndodhet brenda një zone të shkretuar që ka afërsisht madhësinë e Luksemburgut. “Rreziqet e luftimeve rreth tyre janë dukshëm më të larta”, thotë eskpertët.

Reaktori i dëmtuar në 1986 është future Brenda një të ashtuquajturi sarkofag, për t’u mbrojtur nga goditjet dhe për të shmangur rrjedhjen e radioaktivitetit.

“Natyrisht që një aksident brenda Çernobilit do të ishte një problem shumë i madh. Por pikërisht për shkak të zonës së pabanuar prej kohës së incidentit, ndoshta nuk do të prekte shumë civilët ukrainas”, citohet Acton nga Reuters.