Presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelensky ka mbajtur një fjalim në Parlamentin britanik të martën përmes një video-mesazhi.
Zelensky citoi Winston Churchill, udhëheqësin e Britanisë gjatë Luftës së Dytë Botërore, teksa tha “Ukraina do të luftojë deri në fund”.
“Ukraina nuk do të dorëzohet dhe nuk do të humbasë”, tha ai.
Ai ka krahasuar betejën e Ukrainës kundër Rusisë me atë të britanikëve dhe nazistëve gjatë Luftës së Dytë Botërore.
“Ju nuk deshët ta humbnit vendin tuaj kur nazistët u përpoqën ta merrnin atë”, tha Zelensky. “Dhe juve ju desh të luftonit për Britaninë”.
Më tej, presidenti i Ukrainës ka vlerësuar sanksionet kundër Rusisë, por përsëriti kërkesën e tij për të vendosur një zonë ndalim-fluturimi mbi Ukrainën.
Ai tha se vendimi i Gjykatës Ndërkombëtare Penale për të hetuar Rusinë për krime lufte iu ka dhënë shpresë se do të ketë pasoja për veprimet e rusëve. Por Zelensky tha se këto nuk mjaftojnë. Mbyllja e fjalimit e tij u prit me duartrokitje nga anëtarët e parlamentit britanik që u çuan edhe në këmbë.
I was pleased to grant a request to allow President Zelenskyy to give a statement to the House virtually. Here you can watch the President's historic address to Members and Lords in the House of Commons Chamber. @ZelenskyyUa pic.twitter.com/uifMIun5Vd
— Sir Lindsay Hoyle (@CommonsSpeaker) March 8, 2022
Pas fjalimit të Zelensky para deputetëve, kryeministri britanik Boris Johnson tha se qytetarët ukrainas po inspirojnë miliona njerëz me guximin e tyre.
Johnson u shpreh se Mbretëria e Bashkuar dhe aleatët janë të vendosur që ta furnizojnë me armë ushtarake, për të vendosur sanksione dhe për të shtuar presionin kundër Rusisë dhe pushtimit të saj në Ukrainë.
Ai theksoi se Mbretëria e Bashkuar do të përdorë çdo metodë të mundshme derisa Putin të dështojë dhe Ukraina të jetë e lirë “edhe një herë”.