Tanku i rëndë ”Leopard 2”, të cilin Ukraina e kërkon prej muajsh prej Gjermanisë dhe Perëndimit, është një armë me famë botërore, që ka të ngjarë të ketë një ndikim të rëndësishëm në fushën e betejës.
– Përparësi të shumta –
I projektuar nga prodhuesi gjerman ”Krauss-Maffei” dhe i ndërtuar në seri nga fundi i viteve ’70 për të zëvendësuar tanket amerikane ”M48 Patton” dhe më pas tankun ”Leopard 1”, ”Leopard 2” kombinon fuqinë e zjarrit, lëvizshmërinë dhe mbrojtjen.
Ky tank luftarak prej rreth 60 tonësh, nga të cilët rreth 3 500 kanë dalë nga linja e prodhimit, është i pajisur me një top të kalibrit 120 milimetra, që e lejon atë të luftojë armikun gjatë lëvizjes, falë fuqisë së tij prej 1,500 kuajsh fuqi, deri në 70 km/h, me një distancë prej 450 kilometrash.
Ai është gjithashtu i pajisur, sipas prodhuesit, me mbrojtje pasive integrale efektive kundër minave dhe raketave.
Ekuipazhi i tij prej katër anëtarësh përfiton gjithashtu nga mjetet teknologjike për të lokalizuar dhe synuar armikun në rreze të gjatë.
– Disponueshmëri e gjerë në Evropë –
Një tjetër avantazh i madh është që ”Leopard” është i përhapur në kontinent duke lehtësuar kështu aksesin në municione dhe pjesë këmbimi dhe duke thjeshtuar mirëmbajtjen, gjë që është kërkuese për këtë lloj pajisjeje.
Katër modelet e fundit deri më sot janë ende në përdorim, nga 2A4, nga të cilat Polonia ofron të dorëzojë 14 copë në Kiev, deri te 2A7, me të cilin Berlini nuk është i gatshëm të ndahet, duke preferuar ta mbajë atë, si Franca me tankun e saj ”Leclerc” për të siguruar mbrojtjen.
Finlanda, e pajisur me më shumë se 200 të tillë, sipas Institutit Ndërkombëtar për Studime Strategjike (IISS), është gjithashtu e gatshme të pajisë ushtrinë ukrainase.
Sipas shtypit gjerman, një pjesë e vogël e vendeve të tjera evropiane, të pa përmendura, do të ishin gjithashtu të gatshme të merrnin pjesë në këtë përpjekje.
Greqia me 350 tanke dhe Turqia që i përdori kundër forcave kurde në veri të Sirisë, janë vendet me më shumë kopje të modelit 2A4.
– Ndikim i rëndësishëm në fushën e betejës –
Nëse Kievi mund të merrte 100 tanke të tillë, efekti do të ishte i rëndësishëm në fushën e betejës kundër rusëve, vlerëson IISS.
E pajisur me ”Leopard 2”, një ushtri mund të thyejë linjat e armikut dhe t’i japë fund një lufte të gjatë në llogore, shkruan ”Bild”.
“Me Leopardin, ushtarët mund të përparojnë disa dhjetëra kilometra në të njëjtën kohë”, thekson gazeta.