Papa Françesku u shpreh të mërkurën se kërcënimi për luftë në Ukrainë i ka sjellë mjaft trishtim, teksa u bëri thirrje politikanëve “të këqyrin me kujdes ndërgjegjen e tyre para Zotit”, para se të marrin vendime të nxituara.
SHBA dhe aleatët e saj kanë akuzuar Rusinë se ka shkelur në mënyrë flagrante ligjin ndërkombëtar, pasi dërgoi trupa ushtarake në rajonet separatiste në Lindje të Ukrainës dhe njohu zyrtarisht si republika të pavarura rajonet e Donjeckit dhe Luhanskit.
Duke folur në dëgjesën e përjavshme që mbahet në Vatikan, Ati i Shenjte i bëri thirrje liderëve që të distancohen nga çdo veprim që do të shkaktonte vuajtje të mëtejshme tek të pafajshmit, teksa e shpalli ditën e mërkurë si ditë lutjeje dhe agjërimi për Paqen.
“Ndiej keqardhje të madhe për përkeqësimin e situatës në Ukrainë. Edhe një here paqja qe i përket të gjithëve po kërcënohet nga interesat politike. Dua të bëj apel të gjithë atyre që kanë përgjegjësi politike që të bëjnë një ekzaminim serioz të ndërgjegjes para Zotit, i cili është një Zot i paqes dhe jo i Luftës, At i të gjithëve, jo vetëm i disave, dhe që kërkon nga ne të jemi vëllezër dhe jo armiq”, tha Papa Françesku.
Apeli i Papës vjen pas tensioneve mes kombeve perëndimore dhe Rusisë lidhur me njohjen e pavarësisë së Republikës Popullore të Donetskut dhe Republikës Popullore të Luganskut nga Moska.