Bota Ukraina, Putin: Nuk pendohem. Për momentin nuk do ketë sulme masive

Ukraina, Putin: Nuk pendohem. Për momentin nuk do ketë sulme masive

Putin ne Astana

Presidenti rus Vladimir Putin është përgjigjur me “jo” kur gazetarët e pyetën nëse është penduar për ndonjë gjë për luftën e nisur në Ukrainë.

Duke folur nga kryeqyteti i Kazakistanit, Astana, pas një samiti me liderë rajonal, presidenti i Rusisë nënvizoi se ajo që po ndodh tani ishte e pashmangshme, por siguroi se nuk do lëshojë breshëri bombardimesh, të paktën për momentin.

“Tani për tani nuk ka nevojë për sulme masive, kemi qëllime të tjera për të përmbushur. Nga 29 objektiva, shtatë nuk janë goditur siç ka planifikuar Ministria e Mbrojtjes. Ata po merren me to, me këto objektiva. Por nuk ka nevojë për sulme masive. Të paktën për momentin. Sa për të ardhmen, do të shohim”, tha Putin.

Duke komentuar propozimet që NATO mund të dërgojë trupa në Ukrainë, lideri i Rusisë thotë se ky do ishte një hap drejt luftës së madhe, asaj të Tretë Botërore.

“Në çdo rast, kontakti apo përplasja e drejtpërdrejtë e trupave të NATO-s me ushtrinë e Rusisë është një lëvizje e rrezikshme, e cila çon drejt një katastrofe globale. Shpresoj që ata që e thonë këtë të jenë mjaft të zgjuar që të mos ndërmerr një hap të tillë”, tha Putin.

Sa i përket mundësisë së takimit me presidentin amerikan, Joe Biden, Putin dha këtë përgjigje.

“Ju gjithashtu duhet ta pyesni atë nëse ai është gati për bisedime. Unë nuk shoh nevojë për bisedime me të për t’ju thënë të vërtetën. Nuk ka ende një platformë për bisedime”, përfundoi lideri rus.

Ndërkohë, i hapur u shpreh vetëm për një takim me homologun ukrainas, Volodymyr Zelensky.