Ukraina mendon se plani i Rusisë është pushtimi i vendit, rrëzimi i qeverisë në Kiev dhe ndarja e vendit në dy pjesë, njëlloj siç u bë me Gjermaninë pas Luftës II Botërore.
Këshilltari i ministrit të Brendshëm të Ukrainës, Anton Hershchenko, thotë se e premtja do të jetë dita më e vështirë për vendin, pasi ushtria ruse do të kërkojë të marrë kryeqytetin.
Duke cituar një burim nga shërbimi informativ i Ukrainës, media vendase “Ukrainska Pravda”, ka dhënë edhe me detaje planin e Rusisë për të pushtuar Kievin:
-Marrja e aeroportit kryesor në kryeqytet dhe kontrollin e trafikut ajror, duke bërë të mundur mbërritjen e 10 mijë trupave nga ajri, ndërkohë që ushtria ukrainase mbahet e zënë me sulme në kufi.
-Sabotimi i rrjetit elektrik në Kiev, për të shkaktuar panik te banorët.
-Shkaktimi i një eksodi me refugjatë, për të penguar lëvizjen e lirshme të forcave të armatosura.
-Marrja e godinave të qeverisë dhe parlamentit, si dhe kapja e udhëheqësve të lartë, për t’i detyruar që të nënshkruajnë një marrëveshje, sipas kushteve të Rusisë.
-Ngjitja në pushtet e udhëheqësve prorusë dhe ndarja e Ukrainës në dy pjesë, njëlloj si Gjermania Perëndimore dhe ajo Lindore gjatë Luftës së Ftohtë.
Franca: Putin do fshijë Ukrainën nga harta e kombeve
Pushtimi i plotë i Ukrainës është një tezë që po ngrihet gjithnjë e më shumë edhe nga shtetet perëndimore. Ministri i Jashtëm francez, Jean-Yves Le Drian, tha se Vladimir Putin dëshiron “ta fshijë Ukrainën nga harta e kombeve”. Ndërsa sekretari britanik i Mbrojtjes, Ben Wallace, tha se rusët kanë vendosur të vënë nën kontrollin e tyre të gjithë Ukrainën.
Ministri deklaroi se sanksionet franceze kundër Rusisë që ende nuk janë shpallur nga presidenti Emmanuel Macron do të jenë drastike dhe të forta.
Le Drian tha se siguria e presidentit ukrainas është “një element qendror i asaj që po ndodh tani”.
Ministri shtoi se është e rëndësishme që Zelensky të mbetet në postin e tij dhe se Franca është e gatshme të ndihmojë nëse është e nevojshme. Ndërsa sekretari britanik i Mbrojtjes, Ben Wallace, tha se rusët kanë vendosur të vënë nën kontrollin e tyre të gjithë Ukrainën.