Nga Edlira Gjoni
– Ule pak zërin e muzikës të lutem!
– Pse ty do pyesim ne se çfarë bëjmë? E duan plazhistët.
– Po këtu 50 çadra ke. A t’i pyes unë një nga një e si të dojë shumica, ashtu bëjmë?
– Pse ku jemi këtu? Në varrim? Do e mbaj lart muzikën sa të dua. Po s’të pëlqeu, ik. Që tani!
….
Ik, po ku të vete?
Temperatura 657 gradë. Dielli saç. Nëpër telefona shfaqet video me një pronar e ca turistë spanjollë. Në sfond gjëmon tortura e radhës “Zemrën ma ke lëndu, a m’dëgjon ti mu? Zemër, zmr..zmr…Zhrrzhrrzhrrzhrr”.
Direkt e në tru, bashkë me diellin saç.
Ikim pak më tutje. Gjejmë një vend të mënjanuar. Nuk ka bar ngjitur. Alleluja. Ulemi pa ceremoni.
Sa vendos kokën në shezlon, më vjen si nga nën-rëra me audio acaruese celulari: “M’ke perk n’tela, tela, telaaaa. M’ke prek n’telaaa”…
Pse o Zot? Pse nuk ke mëshirë?
“Djali! Djali! Të lutem vur kufjet ose ule pak muzikën të lutem. Po pushojmë”.
“Dhe unë po pushoj. Nuk pyes ty çfarë bëj në çadrën time”
Çadra 10 cm larg. Të rrish në plazhe të lodhur, gjynah. Të shkosh në plazhe të pastër, ja se ç’të gjen!
Emergjencë në krahun tjetër të plazhit. Marr autobusin e parë që vjen. Plot me të huaj. Ka kondicioner. Qetësohem…veç kur shpërthejnë bokset “Ti e din po e din po e din. Po e don po e don po e din. M’ke kerku, m’ke kerku m’ke kerku. Mos u tall me mu jo me mu”
Zhrrr zhrr zhrrr- zhrr-zhrrr-zhrrr. Rap-tap-tam-rap-rap-zhdrap!
“O djali. Po ç’është kjo muzikë mor aman? Na turpëruat”
“Po kjo është këngëtarja më e mirë shqiptare moj, çfarë thua? Ja se po vendos Noizin më mirë”
Po pse o Perëndi nuk ke mëshirë?
Në kafen e lagjes, ulem për të biseduar diçka me një të mikeshë që ka ardhur pak ditë për pushime. Ora 08.30 e mëngjesit, volumi në vijën maksimale: “Marijuana- ana- ana ti je kolumbiana-ana-ana i kemi t’tana-tana-tana, veç shiqo”.
Kjo moda për t’i bërë këngët me theks falso kosovar është më torturues se zëri i lartë.
“O djali, po ule atë të mallkuar pseudo-muzikë, se na luajtët mendsh. Vjen njeriu në kafe për të biseduar, jo për të testuar nervat”
Nuk e ul!
Pas temperaturave që kanë shkuar tanimë 700 gradë, pushimet mbarojnë. Kthehet njeriu në shtëpi. Gati për fokus, lexim a rifillim pune, së pari duke sistemuar mendimet.
Ulet në divan në 20.00 të reflektojë e të gjejë nga ta fillojë. Kur “Bam” tronditet pallati nga dridhjet. Është ditë e hënë!
“Oh Mari-Marjana, faqet me nishana, oh Mari-Marija faqet gurabia”.
Mooos o Zot! Ka dasëm! Audio dëgjohet deri në Itali. Duro deri në orën 23.00! Të gëzojnë!
Po ç-‘23.00? Shkoi 24.00. Pastaj 00.15. Pastaj 00.30. Muzika në vend që të fiket, buçet në qiell. “O le le – o le le, o ti vajzë e bukur, sa e bukur je. O le le – o le le, vajzë me pretendime, more zemrën time”.
Mbulo sa të duash veshët me duar. Mbyll dyer e dritare. Merre edhe policinë në tel po deshe. Nuk ka zgjidhje.
Ndërro dhomë: “S’po më don s’po më don s’po më don, kot gjykon paramendon”
Gggrrrrrrr!!!!!!
Dil në ballkon nga krahu tjetër i shtëpisë: “Jam krenar, jam krenar, përherë ne vendin e parë, s’ka Zot që më ndalon, njeri që më konkuron”
6 dasma, ngado të rrotullohesh, muzika vjen drejt e te nervat e tua të acaruara sa nuk mbajnë më!
Vendi edhe mund të dekriminalizohet! Ka gjasa! Po që të njerëzohet, nuk ka për të ndodhur edhe 5 breza të tjerë!