Autoritetet italiane të shëndetësisë kanë bërë të ditur se në 24 orët e fundit janë konfirmuar të prekur me koronavirus 28,337 persona, nga më shumë se 188 mijë tamponë të kryer.
Në 24 orët e fundit, numri i tamponëve ka qenë më i vogël, krahasuar me një ditë më parë kur u kryen 237 mijë testime dhe ndoshta kjo mund të ketë ndikuar edhe në uljen e rasteve pozitive, duke qenë se të shtunën ishte mbi 34 mijë të infektuar.
Ndërkohë, në 24 orët e fundit kanë ndërruar jetë edhe 562 persona të prekur me koronavirus, ndërsa të shtunën humbën jetën 692 persona. Deri tani, në Itali janë konfirmuar të vdekur nga koronavirusi 49,823 persona.
Situatë e rëndë nga koronavirusi në Greqi
Në Greqi, situata nga pandemia është rënduar ndjeshëm gjatë ditëve të fundit. Autoritetet greke të shëndetësisë kanë bërë të ditur se në 24 orët e fundit kanë ndërruar jetë 103 persona të prekur me koronavirus.
Alarmante situata paraqitet edhe në spitale, ku aktualisht ndodhen 540 persona në intubim, mosha mesatare e të cilëve është 65 vjeç, 150 janë gra. 81,9% e personave në intubim kanë të paktën një sëmundje tjetër ose janë mbi 70 vjeç.
Ndërkohë, në 24 orët e fundit kanë rezultuar pozitiv me Covid-19 edhe 1498 persona.