Në fund të Inter-Bologna, me protokoll, në rreth 25 minuta Antonio Conte do të duhej të paraqitej në mikrofonat e transmetuesve televizivë për intervistën e zakonshme pas ndeshjes.
Kalojnë mbi 60 minuta dhe vetëm atëherë shfaqet tekniku zikaltër. Ku ishte deri në atë moment? Sipas “Gazzetta dello Sport” dhe “Sky Sport”, në dhomat e zhveshjes me ekipin dhe pastaj vetëm për vetëm me drejtuesit (Marotta, Oriali dhe Ausilio).
Të bërtitura, pakënaqësi dhe sidomos akuza klubit për mënyrën se si ndërtoi skuadrën. Madje, duke shënjestruar disa futbollistë që duhet të largohen menjëherë sapo të mbarojë sezoni. Sipas medieve, Conte i ka kërkuar drejtuesve të largojnë disa elementë.
“Ishte viti im i parë i punës te Interi, duhej të merrja në dorë një ekip të paketuar. Nga këtu deri në fund ne duhet të dëshmojmë se e meritojmë Interin. Unë dhe lojtarët, duhet të vihemi në diskutim dhe të tregojmë kush jemi, ndryshe më mirë të ikim”.
Conte nuk është larguar nga përgjegjësitë e tij, por ka vendosur për ndryshimin e regjistrit nga disa ditë më parë, kur mbrojti ekipin nga kritikat duke e ekspozuar veten: “Sulmomëni mua, por jo lojtarët”.
Por, kaq ka mjaftuar, humbja ndaj Bolonjës, që trajneri të humbasë toruan dhe të kritikojë në sy futbollistët. Madje, trajneri zikaltër ka vendosur tashmë: Roberto Gagliarini duhet të bëjë valixhet gati dhe të largohet menjëherë. Duhet ta ndjekin Godin që nuk ka gjetur hapësira dhe nuk ka bindur (edhe Ranocchia preferohet në vend të uruguaianit) por edhe sidomos Biraghi, që gjithashtu duket një peshk jashtë uji. Esposito do të rinovojë dhe do të jepet huazim sezonin tjetër.
Candreva gjithashtu mund të përshëndesë, ashtu si edhe Asamoah (nuk shihet më si zgjedhje) por edhe Borja Valero dhe Vecino. Conte do njerëz të kalibrit të Lukaku, Eriksen, Hakimi. Lojtarë të fortë, ndërkombëtarë, të gatshëm për të fituar. Vetëm me ta, sipas idesë së tij, do të ngushtohet hendeku me Juventusin.