Një punonjës kuzhine, i cili vrau një shqiptar është dënuar me burg të përjetshëm. Viktima, Serxhio Marku, u vra më 11 shtator të vitit të kaluar.
Vrasja ndodhi në Brighton të Britanisë së Madhe
Autori i kësaj ngjarje është Francesco D’Agostino, 45 vjeç, i cili është shpallur fajtor për ngjarjen e rëndë. 45-vjeçari i shkroi një miku ku i thoshte se do të kryente një vrasje.
Pak orë më vonë, ai vrau me thikë Serxhio Markun dhe më pas e goditi me dy tuba metalike. Mësohet se autori dhe viktima njiheshin me njëri-tjetrin. Kjo pasi shqiptari ishte personi që i shiste kokainë 45-vjeçarit.
Në trupin e viktimës u gjetën 13 plagë thike, si dhe disa plagë në kokë që tregonin se Marku kishte munduar t’i rezistonte sulmit.
“Pse po ma bën këtë mua?”, mësohet të ketë thënë i riu shqiptar në momentin e ngjarjes. Kështu të paktën kanë dëshmuar fqinjët. Në një moment ai u mundua që të largohej nga apartamenti, por D’Agostino e kishte tërhequr sërish mbrapsht. Kur policia arriti në skenën e krimit, D’Agostino dhe miku i tij, Giuseppe Petriccione refuzuan që t’i linin të hynin në banesë dhe tentuan arratisjen nga kopshti.
Të dy dolën në seancë gjyqësore, por u shty për shkak të karantinës. Petricione u shpall i pafajshëm për vrasje.
Ndërkohë, gjyqtarja Christine Laing e dënoi me burg të përjetshëm D’Agostinon dhe ai duhet të vuajë minimalisht 22 vjet burg përpara se të kërkojë lirinë me kusht.
“Serxhio Marku ishte djalë, vëlla, nip dhe kushëri i dashur. Ai kishte hyrë në Britani në mënyrë të paligjshme dhe për shkak të pamundësisë ekonomike ishte përfshirë në shitjen e drogave. Ishte vetëm 21 vjeç dhe kishte gjithë jetën përpara për të gjetur rrugën e drejtë të jetës dhe për të përmbushur të gjithë potencialin që familja shikonte tek ai. Megjithatë kjo gjë iu mohua”, tha ajo.
Gjykatësja shtoi më tej ndaj vrasësit se ka treguar gënjeshtra në seancë dhe se e kishte menduar krimin e rëndë. Xhaxhai i shqiptarit, Nderim Marku u shpreh se familja e tij është e shkatërruar.
“Ulërimat dhe lotët që kam dëgjuar në funeralin e tij janë një kujtim që do të më përndjekë gjithë jetën. Babai dhe vëllezërit e tij janë të shkatërruar. Nëna e tij ka humbur në peshë dhe nuk njihet më. Ajo qëndron pranë varrit të djalit çdo ditë”, tha ai.