Ish-kryeministri, Sali Berisha, veç ambasadores amerikane në Tiranë, Yuri Kim, hodhi akuza edhe ndaj ish-ambasadorit amerikan në Shqipëri, Donald Lu, për mbështetjen që sipas tij, i ka dhënë ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri, të dënuar me 3 vite 4 muaj burg për shpërdorim detyre.
“Si për t’i garantuar imunitet absolut, Edi Rama dhe ambasadori Lu, në një rast unik, do të dërgonin yllin e tyre, skafoministrin Tahiri, të ulej në tryezë përballë Presidentit Obama në Shtëpinë e Bardhë”, tha Berisha në postimin e tij në Facebook.
“Por të gjitha këto nuk e penguan antimafian italiane që në zbatim të ligjeve të vendit të zbulonin dhe vërtetonin lidhjet e Tahirit me kushërinjtë e tij, Habilajt. Përdorimin nga ky klan me qindra herë të skafit dhe veturës së Tahirit për trafikun e dhjetëra e dhjetëra tonelatave droge, dhuratat e tyre të super kushtueshme për “kushon” ministër trafikant”, tha ish-kryeministri.
Berisha akuzon ish-ambasadorin Lu se i doli në mbrojtje të hapur Tahirit, duke krahasuar procesin ndaj tij me ato që zhvilloheshin gjatë diktaturës komuniste në Shqipëri. “Por me gjithë përpjekjet e jashtëzakonshme Rama-Lu, Bundestagu gjerman dhe Bashkimi Europian përcaktuan si një kusht për progresin e Shqipërisë drejtë BE-së drejtësinë ndaj Tahirit”, përfundon Berisha.