Me hyrjen në fuqi të paketës së re fiskale, mbi 11 mijë biznese do të përfitojnë ulje të tatim fitimit, nga 15 milionë lekë në 5 milionë lekë në vit.
Kryeministri Edi Rama vizitoi një prej sipërmarrësve që përfiton nga kjo ulje e taksës, i cili tha se kjo lehtësi do t’i shërbejë atij për të zgjeruar aktivitetin dhe për të rritur fitimin e kompanisë në të ardhmen.
“Tani, sinqerisht ne po ndihemi mirë, se na u ul taksa e tatim fitimit. Unë bëja 100 milion lekë xhiro në vit dhe paguaja 15 milionë lekë. Tani ne paguajmë 5 milion lekë. Unë do investoj më shumë tani. Do marr më shumë punëtorë”.
Kryeministri Edi Rama deklaroi se, veç të tjerash, kjo lehtësi fiskale për biznesin do të përkthehet edhe me më shumë vende të reja pune, si dhe me rritje të pagave të të punësuarve në sektorin privat.
“Ajo që është më e rëndësishmja, në këndvështrimin tonë, është që, duke ju lehtësuar 3-fish, ju japim mundësi, e para, që të zhvilloheni me investime të reja dhe besoj, menjëherë, ju do mendoni për një investim të ri për tu zgjeruar, për tu konsoliduar dhe e dyta, për të rritur punësimin dhe për të rritur pagat. Kemi nevojë të ulim numrin e atyre që shkojnë në universitet dhe të rrisim numrin e atyre që shkojnë në arsim profesional dhe në kolegje profesionale 2-vjecare, që të bëhen specialistë”.
Paketa e re fiskale, që hyri në fuqi me nisjen e këtij viti parashikon lehtësi edhe për agrobiznesin si dhe zerimin e TVSH-së për inputet bujqësore.