Sezoni turistik i këtij viti ka shënuar ulje drastike të çmimeve në plazhin e Durrësit. Shkak është bërë ulja e numrit të pushuesve nga Kosova, të cilët janë edhe frekuentuesit e rregullt të plazhit më të madh të vendit tonë.
Banorët pohuan për Gazetën Shqiptare se i japin banesat me 10 euro nata. Ndërsa, akomodimi për fjetje e qëndrim në një javë është 70 euro në një banesë private me kushte normale.
Banorët në zonën e plazhit, ata që japin dhoma me qira , bëjnë me dije se çmimet e banesave variojnë nga 10 deri në 15 euro nata, ndërsa në hotele 25 deri në 50 euro nata, sipas shërbimeve që ofrojnë. Ndërsa nga ana tjetër e plazhit, nga krahu i rrugës, çmimet variojnë nga 7 deri në 10 euro nata.
“Çmimet në plazhin e Durrësit janë të arsyeshme. Jemi të kënaqur, pasi në Sarandë çmimet janë shumë të larta. Një banesë e thjeshtë dhe jo me komoditetin që ofrohet në Durrës kushton 50 euro nata”, thanë pushuesit nga Kosova. Sipas banorëve një tjetër arsye e rënies së pushuesve nga Kosova është edhe ndalimi i autobusëve me pushues nga Kosova që në fillim të muajit Korrik.
Në plazhin e Shkëmbit të Kavajës, pushuesit vendas janë të paktë. Disa prej hoteleve në këtë zonë janë të zëna në kapacitet 100% me turistë polakë, hungarezë, serbë dhe boshnjakë, të cilët mbërrijnë në grupe të organizuara nëpërmjet agjencive turistike.
Hotelierët u shprehën se 15 deri në 20 për qind janë pushues nga Kosova që jetojnë në vendet e Europës, ndërsa 80 për qind janë të huaj.