Nga njëra anë banda e “Zotit të drogës” Elvis Demçe dhe nga ana tjetër Ermal Arapaj, i ashtuquajturi “Ufo” dhe njerëzit e tij.
Dy organizata gjakatare të narkotrafikut në Romë të Italisë, me metoda mafioze, të cilat tashmë e gjejnë veten të bashkuar me mbi 120 vjet dënime të dhëna nga Gjykata e Romës.
Demçe, me gjykim të shkurtuar u dënua me 18 vite burg, ndërsa Arapaj do të duhet të qëndrojë 16 vjet pas hekurave.
Dënimet për 12 personat e tjerë variojnë nga minimumi 4 vjet e 6 muaj deri në maksimum 9 vjet e 8 muaj, ndërsa dy të pandehur të tjerë të grupit u shpallën të pafajshëm.
Më 29 tetor, Prokuroria e Romës kishte kërkuar 187 vite burg për të gjithë anëtarët e grupeve të trafikut të drogës.
Dosja hetimore italiane flet për ngritjen e Elvis Demçes, bosit të fundit shqiptar, i kurorëzuar si i tillë pas arrestimit të paraardhësve të tij, Arben Zogu dhe Dorian Petoku.
Banda e 36-vjeçarit u themelua në vitin 2020 dhe pati një rritje të shpejtë në tregtinë e hashashit, me të ardhura që shkonin deri në 4 milionë euro.
Në qendër të konfliktit ishte kontrolli i trafikut të drogës që kishte pushtuar Romën nga Castelli Romani, deri në lidhjen e aleancës me bandën e Fabrizio Piscitellit, “Diabolik” në Ponte Milvio.
Akuza të shumta ndaj dy grupeve, nga zhvatja e deri te kërcënimet e shoqëruara me video dhe foto për t’i vënë në dijeni rivalët për egërsinë e tyre.
Demçe, i cili ka një pamje të ashpër, i referohej vetes si “Zoti”. Me një bindje të rrënjosur thellë thoshte: “Unë jam Zoti”.
Ai e shkruante në rrjetet sociale, duke përdorur pseudonimet e tij, “Spartacus” ose “Perseo”, të cilave u lidh një kuptim i fortë simbolik.
Në mungesë të tij, sheshet e trafikut të drogës u morën nga Ermal Arapaj, shqiptar si ai dhe drejtues i një organizate tjetër shumë “të respektuar”.
Kur Demçe ishte në burg për vrasjen e Federico Di Meos, 30 vjeçar, “Ufo” tentoi të fitonte terren, duke marrë sheshet e drogës, Velletri dhe Acilia.
Kjo solli përplasje mes bandave, të cilët nisën përplasje me armë, tentativa për vrasje dhe vënie flakëve të makinave. Pas këtyre ngjarjeve arritën të binin në gjurmët e policisë.
Grupet kriminale që drejtoheshin njëri nga Ermal Arapaj dhe nga ana tjetër Elvis Demçe, i cili drejtonte grupin rival, janë arrestuar nga policia pas një aksioni ‘Blic’, të zhvilluar mëngjesin e 18 janarit.
Në pranga ranë 27 persona, duke u shmangur në këtë mënyrë disa vrasje të mundshme, për trafikun e drogës.
Bisedat e përgjuara konfirmuan urrejtjen e Demçes ndaj bashkatdhetarit të tij, i cili pas arrestimit kishte marrë drejtimin e zonës, por pa i dhënë asnjë lehtësim ekonomik.
Mungesa e kompensimit e bëri Demçen të planifikonte një pritë kundër rivalit të tij më 9 korrik 2020, në komunën e Lanuvios.
Një pritë, në të cilën Arapaj ka arritur të shpëtojë, duke qëlluar i pari dhe duke goditur në këmbë një nga njerëzit e caktuar nga Demçe.
Në mëngjesin e 5 shtatorit 2020, grupi i Demçes hapi zjarri në Velletri, duke dëmtuar vilën dhe makinat e Arapajt dhe partneres së tij.
Një përshkallëzim i dhunshëm që e detyroi Arapajn të arratisej në Spanjë, nga frika e hakmarrjes.
Me kthimin e tij në Itali, Arapaj kishte filluar të planifikonte vrasjen e Demçes, i penguar nga hetimi i operacionit ‘Alba Bianca’, i 9 shkurtit 2021, ku “Ufo” përfundoi në pranga.
Një luftë mes dy bashkëkombësve, të cilët mediat e cilësuan dhe krahasuan si “Gomorra shqiptare” në rrugët e Romës.