Qasja e Monika Kryemadhit ndaj pandemisë së Covid 19 dhe refuzimi për të mbajtur maskën ka tërhequr vëmendjen edhe të mediave greke.
Së fundmi televizioni MEGA i ka kushtuar një kronikë bashkëshortes së Presidentit Ilir Meta, i cili i trashëgoi asaj drejtimin e partisë Lëvizja Socialiste për Integrim.
Ndërkohë që do duhej të jepte shembullin e mirë për qytetarët për të marrë masat mbrojtëse nga Covid 19, Kryemadhi raporton televizioni grek bën të kundërtën. MEGA citon një deklaratë të Kryemadhit dhënë Abc News në Shqipëri teksa thotë: ““Unë nuk e njoh Covid. Kush beson në Zot do të jetojë i lumtur pa Covid”.
Televizioni grek i referohet edhe deklaratës së fundit të Kryemadhit, e cila tha se kishte kaluar koronavirusin, por nuk kishte kuptuar asgjë vetë. MEGA thekson këtu faktin se Kryemadhi e zbuloi në Itali faktin që kishte kaluar Covidin teksa ishte për një operacion. Me kritikë shoqërohet edhe raportimi që Monika Kryemadhi theu rregullat e pandemisë për ditëlindjen e aktorit Bes Kallaku, si dhe fakti që ajo shfaqet pa maskë në publik.
Po kështu në kronikën e MEGA TV i bëhet jehonë injorimit që Monika Kryemadhi i bën shifrave në rritje të Covid në Shqipëri dhe mosbesimin e saj te sistemi shëndetësor i vendit të saj për aq kohë sa vetë shkon në Itali.
Më tej televizioni përmend edhe disa shifra, rreth 6.7 milionë euro që janë shpenzuar në tetor e nëntor nga më të pasurit e vendit për t’u kuruar në Turqi.
Ndërkohë thotë MEGA, më të varfërit vdesin në Shqipëri sepse s’kanë mundësi të shkojnë jashtë shtetit. Për këtë çështje të ndjeshme, sipas televizionit grek, zonja e parë e Shqipërisë refuzon të përgjigjet dhe injoron rrezikun e pandemisë.