Bashkimi i dhomave të tregtisë dhe industrisë në vend kërkon një paketë më të zgjeruar financiare për biznesin, pasi ndihma aktuale sipas kryetares së këtij unioni Ines Mucostepa ka qenë e mangët.
“Sipërmarrësit kanë pasur goxha për të thënë, kanë qenë paketa të mirëpritura sepse kanë qenë një ndihmë e rëndësishme për bizneset e vogla. Po këto paketa kanë qenë të mangëta, për ndihmën reale që i kanë dhënë të gjitha bizneseve. Të dyja këto paketa mund të ishin një e vetme. Sipërmarrësit kanë kërkesa sepse duan paketë të tretë ekonomike, e cila të parashikojë ndihmë për të gjithë bizneset. Në dy aspekte, likuiditet masiv dhe lehtësi fiskale. 80 % e sipërmarrësve deklarojnë që po shkurtojnë vende pune. Sepse biznesi është vërtet në vështirësi”, tha Mucostepa në Përballë.
Ministri i shtetit për sipërmarrjen Eduard Shalsi thotë se qeveria ka adresuar shqetësimet e biznesit sipas mundësive financiare që ka.
“Ka tre kategori biznesi. Ka një kategori qe s’kanë kërkuar asgjë, kanë merak vetëm kur do të hapet. Ka një kategori tjetër shumë të prekur, kryesisht në fushën e turizmit dhe atë të prodhimit. Këta kanë objektiv mbijetesën, se si do dalin nga kjo situatë e komplikuar. Jemi munduar të adresojmë shqetësimet e bizneseve brenda mundësive tona. Mendoj që kemi qenë të kujdesshëm në çdo hap që kemi hedhur, por duke qenë koshient që s’mund ti kënaqim të gjithë”, tha Shalsi në Përballë.