Unioni i Operatorëve Turistikë, përmes një letre të hapur dërguar kryeministrit Edi Rama, kërkon nga kreu i qeverisë, hapjen e turizmit të brendshëm dhe heqjen e barrierave të lëvizjes si e vetmja mënyrë për të shpëtuar sektorin nga falimentimi i sigurt.
“Përmes kësaj letre publike, sot nuk po ju drejtohem për ndihmë financiare, por për t’i paraprirë hapjes se sezonit turistik, duke përfshirë si fillim turizmin e brendshëm, duke i hequr barrierat që pengojnë ushtrimin e aktivitetit, siç janë kufizimi i lirisë së lëvizjes dhe mos lejimi i hapjes së plazheve dhe me pas hapjen e kufirit tokësore për turizmin rajonal dhe deri në fund të muajt maj të hapet edhe turizmi i organizuar, në mënyrë që kjo industri të ketë mundësi që të ripërtërijë vetveten, duke filluar që këtë vit dhe njëkohësisht të ndihmoje edhe ekonominë e vendit në këtë situatë tejet të vështirë.
Ne nuk duam të tregojmë padurimin tonë, por duam të ecim në një hap me fqinjët tanë të cilët janë me përpara në planet e tyre; Greqia i ka të hapura plazhet që nga data 4 maj, po kështu fqinji tjetër Mali Zi ka vendosur hapjen e plazheve nga data 18 maj. Këto vende dhe mjaft të tjera kanë liberalizuar lëvizjen e qytetarëve duke mos i kufizuar ato me fasha orari”, thuhet në letrën e operatorëve.
Më tej Unioni i Operatorëve ngre shqetësimin se shumë biznese i pret falimentimin nëse nuk hiqen barrierat e lëvizjes së lirë të qytetarëve dhe nëse nga 18 maji nuk hapen kufijtë me vendet kufitare.
“Aktualisht të gjithë operatorët turistikë, agjencitë e udhëtimit, transportuesit turistikë, guidat turistike, ushtrojnë zero biznes dhe vetëm 70% e hoteleve janë të hapur, por edhe këto nuk janë efiçente për shkak të masave shtrënguese të lirisë së lëvizjes.
Ne përshëndesim planin e qeverisë për hapjen e bareve dhe restorantet në ambientet e jashtme duke filluar nga data 18 maj, por kushtëzimi vetëm në ambientet e jashtme dhe kufizimi i lëvizjes deri në orën 17:30 do jetë pengesë për vënien e plotë në efiçencë të tyre, pasi gjatë ditës njerëzit janë në punë dhe darkat ngelen më të frekuentuara nga qytetarët”, thuhet më tej në letër.