Komiteti Teknik i Ekspertëve vendosi këtë të mërkurë që të lejohet hapja e auditorëve të universiteteve vetëm për procesin e konsultimeve dhe sezonin e provimeve.
“Në vijim të situatës epidemiologjike me kërkesë së Ministrisë së Arsimit, Rinisë dhe Sporteve do të lejohet hapja e auditorëve të universiteteve vetëm për procesin e konsultimeve dhe sezonin e provimeve sipas një kalendari miratuar sipas MARS dhe gjithashtu universitetet duke garantuar një plan të konsultimeve dhe duke siguruar zbatimin rigoroz të protokolleve shëndetësore”.
Po ashtu është vendosur që të hiqet masa e karantinës 14-ditore e qytetarëve që vijnë nga Greqia dhe Maqedonia e Veriut.
“Komiteti i Ekspertëve ka rivlerësuar masat e marra disa javë më parë. Ka bërë një vlerësim të situatës në RMV dhe Greqi ku në dy javët e fundit vihet re një tendencë ulëse e infektimeve dhe duke qenë se periudha e festimeve të pashkës ku dhe risku i lëvizjes së shtuar të qytetarëve ishte më i madh ka vendosur heqjen e masës së karantinës 14-ditore me Greqinë dhe Maqedoninë e Veriut”, tha Ministrja Manastirliu.
Ndërkohë ministrja u shpreh se do të vijojnë të mbeten në fuqi rregullat e tjera që kanë të bëjnë me grumbullimet dhe orën policore.
“Do të vijojnë të mbeten në fuqi rregullat e tjera sa i përket grumbullimeve si dhe ora e kufizimit të lëvizjes që do të mbetet ora 22:00 deri në orën 06:00 të mëngjesit”, tha Ogerta Manastirliu.