Universiteti “Aleksandër Moisiu” Durrës ka përcjellë një mesazh ngushëllimi për studenten, Sidorela Kola, e cila humbi jetën tragjikisht së bashku me motrën dhe nënë e saj në Pukë.
Sidorela ishte studente e Fakultetit të Biznesit në UAMD dhe sot në hollin e fakultetit janë mbajtur homazhe dhe janë mbledhur kontribute për këtë familje.
Sidorela ishte një studente e shkëlqyer, por që fati e largoi nga bankat e shkollës.
“Me hidhërim të thellë sot, bëjmë homazhe për studenten tonë të departamentit të Bankë Financës, Sidorela Kola. Një studente e shkëlqyer që fati deshi mos të jetë më pranë nesh. Të gjithë ne, Dekanati i Fakultetit, çdo lektor, shokë, miq të saj i shprehim ngushëllime familjes fatkeqe.
Jemi pranë tyre në këto ditë të vështira.
Në hollin e Fakultetit të Biznesit studentët dhe stafi akademik po bëjnë homazhe dhe po mbledhin kontribute për familjen.
Paqe në botën e përtejshme për ty Sidorela dhe pjestarët e familjes tënde”, shkruan UAMD në rrjetet sociale.
Dy ditë më parë humbi jetën tragjikisht nëna Prena Kola 43 vjeçe, dhe dy vajzat Sidorela Kola 19 vjeçe dhe Ermira Kola 16 vjeçe.
Njëra nga vajzat e familjes ka qenë duke bërë dush dhe ka rënë në kontakt me korrentin.
Motra e të resë ka vrapuar menjëherë drejt tualetit për ta ndihmuar, por dhe vetë ka rënë në kontakt me energjinë elektrike, sapo ka prekur dorezën e derës. Nëna e dy vajzave e tmerruar nga ngjarja, ka shkuar t’i shpëtonte ato, por fatkeqësisht ka gjetur dhe vetë vdekjen.