Presidenti amerikan Joe Biden e dënoi si “të padrejtë” përpjekjen e kryeprokurorit të Gjykatës Ndërkombëtare Penale për të kërkuar urdhër-arreste për udhëheqësit izraelitë, përfshirë ndaj kryeministrit Benjamin Netanjahu krahas atyre të grupit militant Hamas rreth veprimeve të tyre gjatë luftës shtatëmujore në Gazë.
Në një deklaratë të ashpër, Presidenti Biden denoncoi kërkesën e kryeprokurorit për të arrestuar zotin Netanjahu dhe Ministrin izraelit të Mbrojtjes Yoav Gallant, duke thënë se “çfarëdo që ka dashur të thotë prokurori, nuk ekziston asnjë paralelizëm mes Izraelit dhe Hamasit.”
“Ne gjithmonë do të qëndrojmë me Izraelin kundër kërcënimeve ndaj sigurisë së tij,” shtoi zoti Biden.
Kryeprokurori i Gjykatës Karim Khan akuzoi kryeministrin Netanjahu, ministrin Gallant dhe tre udhëheqësit e Hamasit Yehia Sinwar, Mohammed Deif dhe Ismail Haniyeh për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit në Rripin e Gazës dhe në Izrael.
Një trupë e përbërë nga tre gjykatës do të vendosë nëse do të lëshohen urdhër-arrestet dhe nëse do ta lejojnë këtë çështje të vazhdojë.
Edhe Sekretari i Shtetit Antony Blinken e kritikoi këtë vendim, duke ngritur pikëpyetje mbi juridiksionin e gjykatës si dhe procesin e saj për të bërë këtë kërkesë. Sipas tij, kjo gjë mund të rrezikojë negociatat për një armëpushim apo marrëveshje për pengjet.
”Në thelb, ky vendim nuk sjell asnjë të mirë. Do të vërë në rrezik të gjitha përpjekjet e bëra deri më tani”, tha Blinken.