Vrasësi kryesor i Pablo Escobar, Jhon Jairo Velasquez Vasquez, ka ndërruar jetë në orët e para të ditës së sotme në një spital të kryeqytetit kolumbian, Bogota.
Ai ishte shtruar në spital përpara 5 javësh, kur u diagnostikua me kancer. Lajmin e vdekjes së 57-vjeçarit e konfirmoi policia kolumbiane.
Jhon Jairo Velasquez Vasquez ka pranuar se ka vrarë rreth 300 persona dhe ka urdhëruar vrasjen e 3000 të tjerëve gjatë kohës që punonte për Escobarin, në vitet ’80.
Ai ka qenë truri i atentateve me bomba gjatë luftës së kartelit të Medellin me shtetin kolumbian. Madje, ka vrarë edhe të dashurën e tij kur ia kërkoi Escobar dhe vuri bombë në një avion kolumbian ku duhej të udhëtonte edhe kandidati për President, Cesar Gaviria, në nëntor 1989. Nga shpërthimi i asaj bombe vdiqën më shumë se 100 njerëz të pafajshëm.
Ai u lirua nga burgu në vitin 2014, por u arrestua sërish në vitin 2018, përpara se të diagnostikohej me kancer në stomak.
Në një intervistë të vitit 2014, Jhon thonte: “Duhet të kuptoni që isha një vrasës profesionist. Për mua ishte punë normale. Kur vrisja dikë, nuk ndjeja gjë fare. As turp, as trishtim, as lumturi… Ishte thjesht një ditë pune si çdo person që punon në zyrë”.
Pablo Escobar, i cili u vra në moshën 44-vjeçare, futi në SHBA 80% të të gjithë kokainës që hyri në territorin amerikan dhe mendohet se fitonte rreth 22 miliardë dollarë në vit.