Apeli i GJKKO ka vendosur lirimin nga qelia të ish-avokatit, Alban Bengasi, i cili dyshohet se ka urdhëruar vrasjen e gruas së tij. Vendimi është marrë ditën e sotme nga gjyqtari Florjan Kalaja, pasi siç është raportuar pasi ish-gruaja e fali dhe kërkoi t’i lehtësohen akuzat.
“Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me trup gjykues monokratik të përbërë nga gjyqtar Florjan Kalaja, sot më 27.07.2024, shpalli vendimin mbi çështjen penale nr. 173 akti, datë 25.07.2024 regjistrimi, mbi ankimin e paraqitur nga ankuesi A.B., me objekt: Kërkesë për shuarjen e masës së sigurimit “Arrest në burg”, dhe vendosi: Konstatimin e shuarjes së masës së sigurimit “Arrest në burg” të caktuar ndaj të pandehurit Z. A.B. me Vendimin nr. 42, datë 17.05.2022 dhe të verifikuar me Vendimin nr. 103, datë 08.09.2023 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar. Urdhërimin e lirimit të menjëhershëm të të pandehurit Z. A.B. nga ambjentet e paraburgimit, nëse liria e tij personale nuk kufizohet për një shkak tjetër ligjor. Kundër këtij vendimi mund të ushtrohet rekurs brenda 45 ditëve nga e nesërmja e njoftimit të arsyetuar të vendimit”, thuhet në njoftim.
Alban Bengasi akuzohet se ka porositur eliminimin e ish-bashkëshortes së tij, Blerta Ruçi. Rasti i tij u zbulua nga dëshmitë e të penduarit të drejtësisë, Nuredin Dumani, i cili deklaroi se avokati kishte ofruar 120 mijë euro për të kryer ekzekutimin, por Dumani nuk i kishte pranuar duke thënë se nuk merrej me gra.
Avokati Bengasi u arrestua në shtator 2023 në aeroportin e Rinasit, pasi u kthye nga Dubai ku qëndronte prej 16 muajsh në arrati.