Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj ka vendosur të “luftojë” me mjetet e blinduara. Ai u ka dërguar një urdhër Drejtorive Rajonale të Shërbimit të Transportit Rrugor që të bllokohet targa e çdo mjeti të blinduar.
“Me përmbajtjen e saj njihen Shefat e Sektorëve të Policisë Rrugore pranë DVP, si dhe Shefi i Sektorit të rendit dhe Shefi i komisariatit rajonal të policisë rrugore në DVP Tiranë, me qëllim zbatimin në praktikë të detyrimit për pezullim/ndërprerjen deri në një njoftim të dytë, të të gjithë procedurave administrative në lidhje me lëshimin e autorizimeve për targimin dhe qarkullimin e mjeteve të blinduara në pronësi/përdorim të personave fizik. Deri në ndryshimin e aktit normativ ekzistues, edhe nëse ndonjë shtetas disponon një kontratë të rregullt ligjore si pronar i mjetit të blinduar dhe ata që aktualisht disponon një targë të rregullt të regjistrua të mjetit të blinduar nuk do të pajiset me autorizimin për targimin e tij apo autorizim të posaçëm për qarkullim deri në një njoftim të dytë. Për rrjedhojë nuk do të lejohen të qarkullojnë”, thuhet në urdhrin e Sandër Lleshajt.
Një urdhër i tillë vjen në një kohë kur në mbarë vendin ka nisur një aksion kundër njerëzve të krimit dhe ditët e fundit janë shoqëruar shumë mjete luksoze në polici për verifikim dokumentacioni.