Bota Uria vret më shumë se pandemia e Covid në botë

Uria vret më shumë se pandemia e Covid në botë

Pandemia e Covid-19 nuk është shkaku kryesor i vdekjeve në botë. Sipas të dhënave të fundit nga OXFAM, një organizatë ndërkombëtare që merret me varfërinë, varfëria dhe uria shkaktojnë pothuajse dyfishin e viktimave të Covid-19.

11 njerëz vdesin nga uria në një minutë, krahasuar me 7 vdekje për shkaqe që lidhen me pandeminë.

Sipas të njëjtave të dhëna 155 milionë njerëz janë aktualisht në një gjendje të pasigurisë ushqimore ose kequshqyerjes. Janë 20 milionë më shumë se vitin e kaluar. Situata është shumë kritike, veçanërisht në vendet e përfshira në konflikte të armatosura (pothuajse 100 milionë njerëz në 23 shtete). Lufta mbetet shkaku i parë i varfërisë dhe urisë.

Në shumë zona të përshkuara nga konflikte të përgjakshme mungesa e ushqimit vazhdon të përdoret si armë, duke i lënë njerëzit pa ujë ose gjëra të domosdoshme madje duke parandaluar mbërritjen e ndihmës humanitare në komunitetet më të prekura.

Një vit më parë, Sekretari i Përgjithshëm i OKB, Antonio Guterres bëri thirrje për një armëpushim global. Por konfliktet nuk u ndërprenë as gjatë pandemisë duke shënuar 48 milionë persona të zhvendosur deri në fund të vitit 2020.