Presidenti Ilir Meta e quajti një vit zhgënjyes 2019-n, të mbushur me përplasjet politike mes tij dhe shumicës socialiste. Në fjalimin e fundvitit, Presidenti tha se pas urimeve, nga e nesërmja shqiptarët duhet të punojnë për të ardhmen.
“Nga 1 janari duhet të mendojmë e të punojmë për t’i dhënë dritë e shpresë të ardhmes sonë dhe sidomos të fëmijëve tanë. Ajo është në dorën e secilit prej nesh edhe të bashkuar do t’ia dalim. Numërimi mbrapsht ka filluar, le të jetë 2020-a viti i ndryshimit të madh”, theksoi Meta.
Urimi i Presidentit:
Të dashur motra e vëllezër shqiptarë,
Në këtë festë tradicionale të ndërrimit të viteve, të bashkimit dhe solidaritetit njerëzor e shpirtëror pranë vatrave të ngrohta familjare, të takimit me të dashurit e zemrës dhe miqtë tuaj në tryezat e gëzimit, shpresave dhe ëndrrave të reja, kam kënaqësinë t’i bashkohem urimit të përzemërt:
GËZUAR VITIN E RI 2020!
Qoftë një vit i mbarë dhe i begatë, i mbushur me lumturi, dashuri dhe paqe në çdo familje, në shoqërinë dhe në Shqipërinë tonë të dashur!
Zhgënjimet që po lemë pas me vitin e vjetër, le të na ndihmojnë për një reflektim të thellë e të sinqertë në mënyrë që viti 2020 të jetë viti i realizimit të shpresave dhe ëndrrave të çdo shqiptari dhe familje shqiptare, por edhe viti që e afron Shqipërinë me familjen europiane dhe standardet e saj!
Çdo shqiptar i ndershëm dhe punëtor kërkon më shumë shpresë dhe meriton mirëqenie, por edhe ndihmë, përkrahje e mbështetje, për të ndërtuar një jetë të denjë dhe një të ardhme të sigurt në Atdheun tonë.
Secili prej jush meriton më shumë pozitivitet, një Shqipëri më të drejtë, më të dashur, më të dhembshur dhe më njerëzore.
Dhe kjo në radhë të parë kërkon një Shqipëri përfshirëse dhe më të bashkuar, e udhëhequr gjithmonë nga interesi kombëtar dhe publik.
Solidariteti mbarëkombëtar që treguam pas tërmetit tragjik, është një themel i fortë dhe i qëndrueshëm, që na frymëzon të gjithëve dhe na jep besim për sfidat që na presin!
Sot ne shkëmbejmë urimet më të mira për Vitin e Ri, por nga 1 janari duhet të mendojmë dhe të punojmë më shumë, të gjithë së bashku, për t’i dhënë dritë dhe shpresë të ardhmes sonë dhe të fëmijëve tanë në Atdheun tonë!
E ardhmja është në dorën e secilit prej nesh dhe të bashkuar do t’ia dalim!
Numërimi mbrapsht ka filluar!
Le të jetë 2020 viti i ndryshimit të madh!
GËZUAR NË ÇDO VATËR SHQIPTARE!
ZOTI E BEKOFTË SHQIPËRINË DHE KOMBIN SHQIPTAR!