Gjeneral Mark Milley, ushtaraku më i lartë i vendit, tha të enjten se veproi gabim kur shoqëroi Presidentin Trump më këmbë nga Shtëpia e Bardhë në sheshin Lafayette aty pranë, që u përmbyll me presidentin duke pozuar me biblën në dorë para një kishe. Gjenerali tha se prezenca e tij “krijoi përshtypjen se ushtria është e përfshirë në punët e brendshme të vendit”.
“Nuk duhet të kisha qenë atje,” tha Shefi i Shtatmadhorisë në komentet që bëri në ceremoninë e diplomimit të studentëve të Universitetit Kombëtar të Mbrojtjes.
Dalja e presidentit më 1 qershor në parkun pranë Shtëpisë së Bardhë dhe fotografia me biblën në dorë ndodhi pak pasi autoritetet kishin përdorur spraj me spec djegës si dhe bomba zhurmuese për të shpërndarë protestuesit, të cilët po demonstronin në pjesën më të madhe në mënyrë paqësore pas vdekjes së George Floyd në Minesota gjatë arrestit.
Gjeneral Milley tha se prania e tij dhe fotografitë në atë zonë kompromentuan angazhimin e tij për të mbajtur veprimet e ushtrisë veçmas nga politika.
“Prania ime në atë moment në atë mjedis krijoi përshtypjen se ushtria po përzihet në punët e brendshme,” tha gjenerali. “Si oficer aktiv në uniformë, ishte një gabim, nga i cili kam nxjerrë mësime dhe sinqerisht shpresoj që të gjithë do të mësojmë nga kjo”.
Deklarata e tij ka të ngjarë të revoltojë presidentin, i cili reagon me forcë ndaj çdo kritike për aktivitetet ku merr pjesë. Po ashtu komentet bëhen në një kohë kur marrëdhëniet e drejtuesve të Pentagonit me Shtëpinë e Bardhë vazhdojnë të jenë të tensionuara pas një mosmarrëveshjeje javën e kaluar lidhur me kërcënimin e Presidentit Trump për të përdorur trupa federale për të ndalur trazirat që pasuan vdekjen e George Floyd.
Pas shpërndarjes së protestuesve nga sheshi Lafayette, presidenti udhëhoqi një grup zyrtarësh ku përfshihej edhe Gjenerali Milley dhe Sekretari i Pentagonit Mark Esper për të shkuar tek kisha episkopale e Shën Gjonit, ku ai ngriti biblën që mbante në dorë dhe pozoi për gazetarët dhe më pas u kthye në Shtëpinë e Bardhë.
Sekretari Esper nuk është shprehur nëse ka bërë gabim që shoqëroi presidentin në atë moment. Ai tha në një konferencë për shtyp se kur dolën nga Shtëpia e Bardhë ai mendoi se po shkonin për të parë dëmet në shesh dhe në kishë dhe për të përshëndetur trupat e Gardës Kombëtare.
Reagimi i autoriteteve ndaj protestave që plasën pas vdekjes së George Floyd ka krijuar tensione mes presidentit dhe zyrtarëve të lartë të Pentagonit. Kur Sekretari Esper tha për gazetarët më 3 qershor se kishte qenë kundër idesë së Presidentit Trump për të sjellë trupat aktive në rrugët e kryeqytetit për të sprapsur protestuesit dhe për të ndalur personat që kryenin akte vandalizmi dhe plaçkitje, më pas presidenti e kishte kritikuar ashpër.
Esper dhe Milley sinjalizuan përmes zëdhënësve të tyre se janë të hapur për “diskutime dypartiake” lidhur me idenë për të riemëruar 10 baza ushtarake që mbajnë emra të ushtarakëve të Konfederatës. Presidenti reagoi të mërkurën se nuk do të lejonte kurrë që të ndryshoheshin emrat e bazave.
Në fjalimin e tij drejtuar diplomantëve të Universitetit Kombëtar të Mbrojtjes, Gjenerali Milley u shpreh: “Duhet të ruajmë të shtrenjtë parimin e ushtrisë apolitike që është i rrënjosur thellë në republikën tonë. Duhet punë e përpjekje, por mund të jetë gjëja më e rëndësishme që bën secili prej nesh”.
Gjenerali Milley shprehu gjithashtu revoltim për vrasjen e George Floyd dhe u bëri thirrje ushtarakëve ta shohin këtë vdekje si pasqyrim i padrejtësive të bëra ndaj afrikano-amerikanëve për shekuj.
“Po shohim hijen e gjatë të mëkatit tonë të parë (në koloninë) Xhejmstaun të themeluar 401 vjet më pare”, tha ai duke iu referuar sjelljes së skllevërve të parë në Tokën e Re.
Gjenerali Milley tha se ushtria ka bërë hapa të rëndësishëm përpara në problemin racor. Ai vuri në dukje se Forcat e Armatosura Tokësore kanë vetëm një gjeneral afrikano-amerikan me katër yje, por Forcat Ajrore do të drejtohen tani për herë të parë nga një gjeneral afrikano-amerikan./VOA