Aktualitet “Ushtria e SHBA në bazën e Kuçovës”, gjenerali amerikan: Do të sjellim...

“Ushtria e SHBA në bazën e Kuçovës”, gjenerali amerikan: Do të sjellim aftësi që nuk i ka asnjë bazë në rajon

Gjenerali amerikan, Stephen M. Twitty, ka zbuluar arsyet pse NATO vendosi të ngrejë një bazë të saj në Shqipëri dhe pikërisht në Kuçovë.

Në një intervistë për “News24”, për gazetarin Thimi Samarxhiu, gjenerali i njohur është shprehur se Kuçova është një vend shumë i mirë për të mundësuar akses në Ballkan, duke shtuar se kjo bazë do të përdoret edhe nga ushtria amerikane.

“E para, nëse shikoni aksesin, është në një vend shumë të mirë për të mundësuar akses në Ballkan dhe e dyta modernizimi i asaj baze të do të sjell aftësi që nuk janë në asnjë bazë në këtë Rajon. Jo vetëm NATO por edhe ne, Ushtria e SHBA do ta përdorim atë bazë”, ka thënë gjenerali.

Më tej, gjeneral Twitty ka shprehur solidaritet me shqiptarët e prekur nga tërmeti i fuqishëm i të shtunës me magnitudë 58.8, duke thënë se do të kenë mbështetjen e SHBA.

Duke qenë se kjo është vizita e tretë në Shqipëri, që prej vitit 1999, gjenerali ka deklaruar se “ju keni një zhvillim të jashtëzakonshëm ekonomik dhe jam shumë i impresionuar nga ushtria juaj. E ardhmja juaj është e ndritur”.

INTERVISTA:

Gjeneral, së pari faleminderit që gjetët kohë për këtë intervistë. Do doja ta nisja me përshtypjet tuaja për Shqipërinë, pasi më thatë që është hera e tretë që e vizitoni. Sa ka ndryshuar Shqipëria në këto kohë.

Përpara se të nisim, e di që Shqipëria është goditur nga tërmetet gjatë javës dhe fal Zotit nuk ka pasur të lënduar seriozë apo të vdekur. Dua të shpreh mbështetjen e madhe të Shteteve të Bashkuara për qytetarët e Shqipërisë. Të kthehemi te pyetja nëse shoh ndryshime. Padyshim që shoh ndryshime. Kam qenë këtu në 1999, ku po përpiqeshim të anëtarësonim Shqipërinë në NATO, kam qenë ndihmësi i Gjeneralit Clark në atë kohë dhe vendi juaj i dha vlerësimin më të madh Gjeneralit Clark në atë kohë. Kam qenë në Tiranë, bregdetin dhe mund të them që ju keni një zhvillim të jashtëzakonshëm ekonomik dhe jam shumë i impresionuar nga ushtria juaj. E ardhmja juaj është e ndritur.

Gjeneral, ju përmendët angazhimin tuaj në anëtarësimin e Shqipërisë në NATO dhe tashmë shënohen 10 vite nga anëtarësimi i vendit tonë dhe kemi një nga gjërat më të mëdha dhe të rëndësishme që po ndodhin, Bazën e Kuçovës, e cila do të kthehet dhe në një qendër të NATO-s në Rajon. Pse u zgjodh Shqipëria dhe pse Kuçova?

Për disa arsye. E para, nëse shikoni aksesin, është në një vend shumë të mirë për të mundësuar akses në Ballkan dhe e dyta modernizimi i asaj baze të do të sjell aftësi që nuk janë në asnjë bazë në këtë Rajon. Jo vetëm NATO por edhe ne, Ushtria e SHBA do ta përdorim atë bazë.

Përtej pjesës ushtarake, si kjo bazë do ndihmoi njerëzit në Shqipëri?

Do të shihni më shumë forca të NATO-s që do jenë në bazë, do të shihni forca amerikane dhe si rezultat mund të shihni dhe një zhvillim ekonomik. Është ende herët për të bërë një parashikim, por jam i sigurt që sa më shumë trupa të vijnë, do fillojnë të shihen dhe frytet ekonomike. Por edhe njëherë, është ende herët në këtë pikë.

SHBA kanë qenë mbështetësit më të mëdhenj për ushtrinë shqiptarë. Fillimisht kishim ndihma me makina ushtarakë, tani me 3 helikopter. A do të vijoi kjo mbështetje dhe cili do të jetë hapi i radhës?

Qëllimi ynë është që të vijojmë mbështetjen për Shqipërinë. Ju keni treguar dëshirën për të pasur pajisje amerikane. Kemi shumë gjëra që mund t’ju ndihmojnë për të modernizuar ushtrinë tuaj. Ju jeni në një rrugë të mbarë tashmë për të arritur 2% e buxhetit për ushtrinë, nisur nga 2016 deri në 2024 ku keni premtuar që do ta arrini dhe bashkë me të vijnë shumë të mira, përfshi dhe pajisje amerikane.

Si e shihni roli ne ushtarëve shqiptarë, pasi për hir të së vërtetës ne nuk kemi avion, por kemi vetëm ushtarë? Si e shihni angazhimin e tyre gjatë misioneve apo stërvitjeve të përbashkëta, krahasuar me vendet të tjera.

Kjo është një pyetje shumë e mirë. Unë për vete jam një ushtar i Ushtrisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe më e rëndësishme se pajisjet është ushtria dhe jam i bindur që kjo është dhe me Shqipërinë. Ju dëshironi të përmirësoni ushtrinë dhe ajo nis me ushtarët e asaj ushtria. Dhe për Shqipërinë, nëse shihni operacionet ku ju merrni pjesë unë jam jashtëzakonisht i impresionuar. Ju jeni në Afganistan dhe jeni në fakt të dytët kontribues për numër banorësh, jeni në Kosovë, në Irak dhe në shumë vende të tjera, gjithashtu merrni pjesë dhe në stërvitje të NATO-s. Shqipëria po i përmbahet angazhimeve të saj dhe kjo është për tu vlerësuar.

Gjeneral, Shtetet e Bashkuara kanë një fokus të veçantë në Ballkan, po pse është kaq i rëndësishme për SHBA dhe NATO, Ballkani?

Përgjigja është shumë e thjesht. Nëse ne kemi një Ballkan të stabilizuar, atëherë kemi dhe një Europë të stabilizuar. Është kyçe që Ballkani të mbetet një zonë e qetë dhe kjo është dhe arsyeja se pse ne zhvillojmë këtë konferencë sot. Ka shumë vende që janë angazhuar edhe sot këtu, për stabilitet në Rajon. Por ajo që ne kërkojmë dhe angazhimi im si zv.Komandant i EUCOM është që të sigurojmë që kemi paqe dhe stabilitet në vendet e Europës dhe pjesë e asaj paqe dhe stabiliteti është dhe të sigurohemi që Ballkani është stabël. Ne e dimë që Lindja është e kërcënuar nga aktivitete dashakeqe dhe ne duam të sigurojmë partnerët dhe aleatët tanë që i mbështesin ata për të arritur objektivat në çështjet e sigurisë.

Gjeneral, ndoshta është një pyetje politike, por a mund të kemi stabilitet në Ballkan me Serbinë që nuk e njeh Kosovën? Siç ju e përmendët ju keni qenë këtu në 1999, por tani kemi një Ushtri të Kosovës e cila mbështetet nga SHBA por jo dhe aq nga disa vende të tjera. Si do të vijoi kjo?

Nuk dua të flas përpara drejtuesve politik dhe diplomatëve. Ne po e shohim këtë me vëmendje në SHBA, në aspektin e politikës. Prandaj them le të shohim se do të jetë qëndrimi dhe më pas kur të kthehem përsëri ma bëni atë pyetje.

Gjeneral, flasim shumë për influencë ruse apo të vendeve të tjera, sa reale është kjo influence? Dhe duke u kthyer tek Baza e Kuçovës, a mendoni që Shqipëria mund të jetë “objektiv” i Rusisë me këtë bazë?

Do ta nis me pjesën e objektivit. NATO qëndron e bashkuar ku 29 vendet mbështesin njëra-tjetrën, dhe ashtu siç do vend që mund të jetë objektiv, edhe Shqipëria mund të jetë objektiv. Ajo që dua të them është që Shqipëria është pjese e një aleancë ku sulmi ndaj njërit është sulm ndaj të gjithëve. Lidhur me pjeswn e parë të pyetjes, do ti rikthehem dhe njëherë asaj çfarë thash: nëse kemi një Ballkan të sigurt, në paqe, pa kërcënime, pa terrorizëm, pa korrupsion, pa të gjitha këto, atëherë kemi dhe një Europë të sigurt. Ne ndajmë të gjithë të njëjtat vlera, kemi të njëjtat interesa dhe kjo është të kemi një vend të lirë dhe të sigurt.

Shumë njerëz thonë që tashmë në fakt lufta ka nisur, por nuk është ajo klasikja me armatike, avion, por ajo kibernetike. A duhet të jemi të frikësuar nga kjo luftë e re?

Nuk do të thoja që është një luftë dhe nuk do thoja që të mos jeni të frikësuar. Duhet ta kuptojmë që ka shumë domenine tashmë. Kur unë kam qenë i ri, nuk ekzistonte një gjë e tillë. Ne kishim luftime në tokë, anije në dete dhe avion mbi kokat tona por ka shumë mënyra tashmë që kundërshtarët tanë mund të përdorin . një nga ato është në fushën kibernetike, një në fushën e informimit, një tjetër në hapësirë. Ne duhet të sigurohemi që ti kuptojmë këto kërcënime dhe të mbrohemi prej tyre.

Pyetja e fundit është më shumë një këshillë. Pse të rinjtë duhet të bëhen pjese e Forcave të Armatosura?

Është shumë e thjeshtë. Unë jam amerikan dhe është gjëja më fisnike. Unë e dua vendin tim dhe dua t’i shërbej vendit tim. Pra, nëse e doni vendin tuaj ju duhet t’i shërbeni atij.