Ushtria ka nisur eksperimentin hetimor në hotelin në Qerret të Kavajës, ku humbën jetën 4 turistë rusë.
Grupi hetimor, së bashku me ekspertë të strukturës ushtarake që kanë pajisjet e posaçme për identifikimin e agjentëve kimikë apo biologjike, po kryejnë eksperimentin në katin e nëndheshëm të hotelit që prej mëngjesit të kësaj të premteje.
Përgjigjja paraprake e ekspertizës mjekoligjore ka hedhur dyshimet se pjesëtarët e familjes Burenkov kanë humbur jetën nga asfiksia.
Nga ana tjetër, dyshimet se kryefamiljari ka qenë kolonel në Moskë ka përfshirë në hetime edhe Agjencinë e Inteligjencës, Sigurisë dhe Mbrojtjes, ish-Shërbimi Informativ Ushtarak.
Ngjarja e rëndë ndodhi më 15 tetor, ku shtetasit rusë u gjetën të vdekur në një hotel në Kavajë.
Trupat e 4 turistëve, i janë nënshtruar një ekzaminimi të dytë në Rusi.
Ndërkohë, Prokuroria e Kavajës po e heton çështjen si vrasje, ndërsa ka administruar dëshminë e një sërë personave që mund të kenë dijeni për ngjarjen.