Forcat e Armatosura të Shqipërisë kanë marrë zyrtarisht në dorëzim dronët “Bayraktar”, të blerë nga Turqia.
Tre dronët TB2 të porositur nga qeveria shqiptare në vitin 2022 kanë mbërritur në Shqipëri dhe sipas ministrit të Mbrojtjes, Niko Peleshi prej dy ditësh ka nisur montimi i tyre në bazën e NATO-s, në Kuçovë.
Në një postim në rrjetin social Facebook, Peleshi ka publikuar foto ku shihet grupi i punës që paralelisht me montimin, po kryen edhe instalimin e infrastrukturës mbështetëse për operimin dhe kontrollin e dronëve “Bayraktar”.
“Dronët Bayraktar, të njohur për efikasitetin dhe teknologjinë e tyre të avancuar, tashmë janë në Shqipëri! Ky zhvillim jo vetëm që rrit aftësitë e mbrojtjes së Shqipërisë, por shërben edhe si dëshmi e angazhimit të vendit për të garantuar sigurinë kombëtare dhe për të përmbushur standardet më të larta të mbrojtjes. Kjo arritje, simbol i dedikimit tonë drejt modernizimit dhe inovacionit në Forcat tona të Armatosura”, shkruan Peleshi.
Sa i përket dronëve TB2, ata kanë një hapje krahësh prej 12 metrash dhe mund të lëshojnë bomba për të shkatërruar tanket dhe artilerinë me ndihmën e një lazeri.
TB2 mund të qëndrojë në qiell deri në 27 orë dhe mund të fluturojë deri në 150 kilometra nga baza e tij.
Dronët “Bayraktar” janë të pajisur me 4 raketa dhe pesha maksimale e dronit bombardues është deri në 650-700 kg.