Mes 437 titujve të pronësisë që kryeministri Edi Rama ka shpërndarë sot në Himarë, ka qenë edhe ajo e vajzës së shkrimtarit të njohur Petro Marko.
Sapo mori certifikatën e pronësisë së banesës, ajo falënderoi Ramën dhe premtoi se do ta kthejë shtëpinë e të atit në një muze.
“Gjej rastin meqë është hera e parë që takohemi, t’ju them ju faleminderit që keni bërë për familjen time. Më keni kthyer shumë dinjitete, të familjes së Petro Markos, jo vetëm me këtë, por me çfarë keni bërë për familjen e Petro Markos. Jam shumë mirënjohëse që ju takoj dhe desha t’ju them që jam e lumtur që këtë e marr nga biri i dy prindërve të mrekullueshëm të tuajt, që prindërit e mi, i donin, i vlerësonin dhe i respektonin.
Dua të them që babai im, Petro Marko, nuk do të mund të hyjë në shtëpinë e tij, por kujtimi i tij, shpirti i tij do të jetë gjithmonë aty. Unë do mundohem që me ndihmën e Aleks Markos, atë dhomë ta kthej në një muze që të jetë gjithmonë prezent“, u shpreh ajo.
Rama premtoi se brenda këtij viti do të jepen të 4 mijë certifikatat e shtëpive të trashëguara, teksa u kërkoi banorëve që çdo problem t’ia adresojnë prefektit Vangjel Tavo.
“Katër mijë certifikatat e shtëpive të trashëguara do të jepen brenda këtij vitit dhe prefektura është adresa për çdo lloj problemi që keni. Nëse shkoni te Kadastra dhe ju nxjerrin një problem, te Vangjeli, nëse doni pronë shkoni te Vangjel Tavo, nëse doni sherr shkoni te Vangjel Dule”.