Një vajzë nga Korça e cila jeton në Greqi prej 21 vitesh, Elona Agolli ka bërë një gjest mjaft human për vendin ku ajo jeton. Ajo ka një rrobaqepësi të vetën në qytetin e Grevenës dhe spitali i kërkoi asaj të qepte 600 maska.
Elona e ka pranuar këtë gjë dhe pa ngurruar fare iu fut punës. Kur i ka dorëzuar spitalit porosinë dhe kur u pyet për çmimin ajo u shpreh se i ka bërë falas.
Ky veprim i ka lënë pafjalë të gjithë përfshirë edhe drejtuesit e spitalit ku ajo i dorëzoi këto maska.
Një nga komshinjtë e saj ka bërë një postim dhe shprehet shumë krenar që njeh Elonën dhe familjen e saj.
“Elona Agolli është nga Shqipëria. Vitet e fundit ajo dhe familja e saj kanë jetuar dhe punojnë në Grevena. Shtëpitë tona janë krah për krah. Kur asaj iu kërkua ndihmë, nuk e mendoi dy herë. Këtë mëngjes ajo hapi dyqanin e saj dhe bëri 600 maska falas për nevojat tona spitalore. Në këtë periudhë të vështira për fat të mirë ekziston njerëzimi. Ndihem krenar që kam fqinjë të tillë, ndihem krenar që kam takuar një familje kaq të shkëlqyeshme! Ajo nuk donte që unë të përmend asgjë …”, shkruan një mik i saj në “Facebook”.