Nga Mero Baze
Amelia ishte 2 vjeç, ndërsa Mentila 5 muajshe. Askush prej tyre nuk e dinte çfarë po ndodhte në Tiranë atë ditë. Babai i kishte lënë me nënën e tyre, Raimondën në shtëpi, dhe kishte shkuar në Tiranë.
Në mbrëmje nuk u kthye më. Një plumb i lëshuar me urdhër të babait të vajzave të Aurelës i kishte marrë jetën.
Tani ato janë gjashtë vite më të rritura, dhe ndoshta kanë filluar të kuptojnë se dikush ua ka vrarë babain që nuk po kthehet më. Dhe kanë të drejtë të zemërohen si fëmijë. Nëna e tyre, Raimonda Nika, e veja e Aleks Nikës, po përpiqet t’i rrisë e vetme dhe natyrisht t’i mbajë larg “gjakut” të babait. Edhe kur shkon të vendosë lule çdo 21 janar tek pllaka në Bulevard, nuk i merr me vete.
Por tani, në një çadër në Bulevardin e Tiranës, ekzaktësisht mbi vendin që u vra babai i Amelias dhe Mentilës, atje ku është dhe pllaka që nderon rënien e tij, është ulur Aurela, gruaja e vrasësit. Ajo u përpoq t’i prekte njerëzit në çadër, duke u folur në emër të fëmijëve të tyre dhe të ardhmes së tyre. Ishte një përgjërim i pështirë, hipokrit dhe i neveritshëm, mbi shenjën e pllakës që tregon se çfarë ka ndodhur në këtë vend, dhe fëmijët e kujt janë realisht të rrezikuar.
Nëse Shqipëria do të ishte një vend siç e ëndërron Sali Berisha, me gjakmarrje e kanun, Aurela dhe burri i saj, nuk do të kishin shans të uleshin në atë vend dhe në atë çadër, pasi do kishin shkuar me kohë në botën tjetër. Dy vajzat e saj, për të cilat Aurela bën thirrje nga çadra që të protestohet për të ardhmen e tyre, do të ishin jetime të gjakmarrjes.
Po sot, vajzat për fatin e tyre të mirë, vajzat e Aurelës, janë në Holandë. Ato janë shtetase holandeze dhe nëse jeta e tyre është e pasigurt, ato mund t’i drejtohen kryeministrit të Holandës. Babai i viziton çdo fundjavë dhe ato ndoshta e dinë se babai i tyre bën një punë të rëndë, larg tyre, dhe kthehet i lodhur të premte në mbrëmje.
Dy vajzat e Raimondës jetojnë në Lezhë. Atyre nuk u shkon babai asnjë të premte. Ato kanë qindra të premte që e presin të kthehet, por nuk ka për t’u ardhur. Duke u rritur ato do ta kuptojnë më mire çfarë ka ndodhur. Do ta kuptojnë se çdo të thotë të kesh jetën tënde në duart e një kryeministri vrasës dhe një ministri të Brendshëm pa bythë, që do pastaj të udhëheqë dhe Shqipërinë.
Vetëm një gjë ndoshta nuk do ta kuptojnë. Nuk do të kuptojnë Aurelën, nënën e dy vajzave, një prej të cilave ka lindur ndërsa burri i saj po vriste në Bulevard babain e tyre. Çfarë kërkon ajo në atë çadër, mbi njollën e gjakut të babait të tyre?
Atë nuk e lidh më asgjë me këtë vend. Pasaportën e ka dorëzuar në vitin 2004, lekët e VEFA-s i ka marrë më 1996, burrin e dërgon në punë të rrjepë pesë ditë të javës Shqipërinë dhe në fundjavë t’i çoj paratë në Holandë. Çfarë pune ka ajo dhe e ardhmja e fëmijëve të saj me këtë vend?
A mund të jenë dy vajzat e Aurelës, në të njëjtën klasë me dy vajzat e Aleksit, të veshura njësoj dhe me të njëjtat halle, që Shqipëria të ndjehet mirë duke pasur Aurelën “Zonjë të Parë”?
Si mund të jetë e qetë ajo, kur burri i saj ka lënë tetë fëmijë jetimë dhe të marrë guximin të ulet këmbëkryq mbi gjakun e tyre të “pamarrë” në Bulevard, dhe të bëjë si e shqetësuar për të ardhmen e fëmijëve të saj në Holandë?
Këtë mund ta bëjë vetëm dikush që mendon se ka të drejtë të vjedhë, ka të drejtë të vrasë dhe mbi të gjitha, ka të drejtë ta përsërisë këtë. Kjo është ekzaktësisht ajo çfarë mendon Aurela. Dhe nuk ka gjë më të rrezikshme për dy vajzat e saj, se sa kjo gjë. Është e vetmja gjë që mund t’ua bëjë të ardhmen të pasigurtë, edhe pse jetojnë mes gjithë të mirave në Holandë. U mjafton pamja e nënës së tyre në çadrën e ngritur mbi gjakun e të vrarëve nga babai i tyre në Bulevard, për t’ua bërë të pasigurtë gjithçka. Përfshi dhe pushtetin që rikërkon babai i tyre, duke penguar të vendoset drejtësia në këtë vend.