Suzana Xibraku, mamaja e Rezartës, e cila u gjet e vdekur pak ditë më parë në banesën në fshatin Xhyrë të Librazhdit, pretendon se vajza e saj është helmuar.
“Vajzën ma helmuan, duam të zbardhet e vërteta. Po shkojmë të bëjmë denoncimin në polici”, është shprehur mes lotëve ajo.
I vëllai i viktimës, Reshit Xibraku akuzon familjarët e dhëndrit për helmimin e motrës së tij.
“Nuk pranoj njerëzit e Olsit të më vijnë në shtëpi. Ata më helmuan motrën. Të hetohet e vërteta. Po shkojmë në polici. Fola me Olsin, e pyeta çfarë i bëtë motrës time, më tha nuk mbaj mend asgjë, ne morëm mangallin dhe fjetëm”, është shprehur vëllai i Rezartës.
Rezarta kishte vetëm tre ditë që ishte martuar me Olsi Hajdarin, ndërkohë që prindërit e këtij të fundit i gjetën në dhomë të helmuar. Rezarta nuk arriti të shpëtonte, ndërsa Olsi ka mundur të mbijetojë pas trajtimit mjekësor.
“Para se të flinim mora një mangall me prush dhe e futa në dhomë. Pastaj nuk mbaj mend asgjë çfarë ka ndodhur. Jam përmendur në spital. Për Rezartën më tregoi xhaxhai im. Jemi njohur në një dasëm, duheshim shume. Tre ditë kishim të martuar”, ka deklaruar Olsi.
Policia e ka marrë në pyetje Olsi Hajdarin tre dite pas ngjarjes kur u kthye në shtëpinë e tij nga spitali.
Po të dielën në mbrëmje është sekuestruar edhe mangalli në cilësinë e provës materiale.