Komiteti i sigurisë së Agjencisë Europiane të Barnave deklaroi në mbledhjen e tij urgjente për vaksinën e AstraZeneca se ajo është e sigurt, e efektshme dhe përfitimet janë më të mëdha se rreziqet.
“Kemi mbërritur në një konkluzion të qartë shkencor. Astra-Zeneca është një vaksinë e sigurtë dhe efektive. Përfitimet janë shumë herë më të mëdha se sa risqet. Vaksina nuk shoqërohet me një rritje të rrezikut të përgjithshëm të ngjarjeve tromboembolike ose mpiksjes së gjakut. Provat në botën reale, sugjerojnë që vaksina ka një efektshmëri edhe më të lartë se sa ajo e treguar gjatë testeve“, siguroi EMA.
Mbledhja e këtij komiteti të Agjencisë Europiane të Barnave u bë pasi shumë vende në botë pezulluan vaksinimin me vaksinën e kompanisë AstraZeneca për shkaqe sigurie pas shfaqjes së disa rasteve me trombozë tek të vaksinuarit.
Më herët, edhe Organizata Botërore e Shëndetësisë kërkoi që procesi i vaksinimit me AstraZeneca të vijojë.
Tashmë pritet që në vendet e Bashkimit Evropian që u pezulluar përdorimi i vaksinës së AstraZeneca të rifillojë vaksinimi. Edhe në Shqipëri po përdoret kjo vaksinë, ku prej së shtunës po vaksinohen mësuesit.