Efektshmëria dhe siguria e vaksinës kundër koronavirusit janë dy kushtet kryesore të cilat qeveritë e vendeve të botës dhe njerëzit presin nga rezultatet e vaksinave kandidate që janë në fazat e fundit të testimet apo që kanë filluar dhe aplikimit.
Pas miratimit të Pfizer në Britaninë e Madhe, shkencëtarët konfirmuan për gazetën “The Lancet” se vaksina e Oxford dhe AstraZeneca është e sigurt dhe efektive dhe krijon një mbrojtje të mirë ndaj virusit vdekjeprurës.
Pjesa më e madhe e personave që morën pjesë në këtë studim ishin më të rinj se 55 vjeç, por rezultatet tregojnë se vaksina është efektive dhe te më të moshuarit. Gjithashtu ajo mund të reduktojë përhapjen e Covid si dhe mbron ndaj sëmundjes dhe vdekjes.
Ekipet e rregullatorëve që kanë parë të njëjtat të dhëna po konsiderojnë mundësinë që të lejojnë në këtë mënyrë përdorimin e vaksinës së Oxford dhe AstraZeneca për qëllime emergjence. Por ka ende pikëpyetje në lidhje me dozën që duhet përdorur.
Kur u prezantuan rezultatet paraprake të testimeve klinike rreth 2 javë më parë, kërkuesit raportuan 3 nivele efikasiteti të vaksinës me një mesatare prej 70%, por që mund të varionte nga 62% deri në 90%. Dhe kjo sepse doza të ndryshme vaksine ishin përdorur gjatë testimeve pasi disa vullnetarëve iu ishin dhënë vetëm gjysmë doze nga ajo e planifikuar.