Bota Vaksina e Pfizer entuziazmon ekspertët: Mund t’i kthehemi normalitetit në pranverë

Vaksina e Pfizer entuziazmon ekspertët: Mund t’i kthehemi normalitetit në pranverë

Dritë në fund të tunelit. Kështu po e cilësojnë ekspertë të shëndetësisë në mbarë botën lajmin se vaksina e prodhuar nga kompania amerikane Pfizer dhe partneri gjerman Biontech, kishte 90 për qind efektshmëri.

John Bell, profesor i mjekësisë në universitetin e Oskfordit dhe pjesëtar i Task Forcës së qeverisë britanike për vaksinën, shprehet tejet entuziast, ndërsa parashikon një rikthim në normalitet, që në stinën e pranverës. “Jam ndoshta njeriu i parë që e them këtë, por kam shumë besim”, thotë ai.

Dr. William Schaffner, ekspert i sëmundjeve infektive në universitetin e mjekësisë në Nashvill, Tenesi, mendon se vaksina do të ndihmojë në frenimin e pandemisë, e megjithatë shumë pyetje mbeten pa përgjigje, sipas tij.

“Reagimi im fillestar, sigurisht që ishte: dritë në fund të tunelit. Një lajm i mirë, diçka që na bën të buzëqeshim. Megjithatë, ende nuk dimë se si do të funksionojë ajo te personat e moshuar, gratë shtatzëna apo fëmijët”, deklaroi Schaffner.

Ai shton më tej se rezultatet paraprake ishin shumë inkurajuese, por se nevojiten të dhëna të plota të eksperimenteve, të cilat ende nuk janë publikuar. Entuziazmi për vaksinën u reflektua edhe në bursa, ndërsa investitorët panë në horizont mundësinë e një rihapje të plotë ekonomike.

Ndërsa, studimet për vaksinën vazhdojnë ende dhe nevojitet aprovimi i saj, Pfizer dhe BioNTech thanë se nuk kishin hasur probleme serioze sigurie, dhe se presin të kërkojnë autorizimin për përdorim emergjent, në SHBA, më vonë gjatë këtij muaji.

Nëse do të aprovohet, kompanitë vlerësojnë se mund të prodhojnë 50 milionë doza këtë vit, mjaftueshëm për të mbrojtur 25 milionë njerëz, e më pas 1.3 miliardë doza në 2021.

Duke komentuar të dhënat e vaksinës nga Pfizer dhe BioNTech, imunologu Anthony Fauci i quajti rezultatet “shumë të mira”.

“Ata tregojnë se teknologjia e re e përdorur, bazuar në përdorimin e ARN-së, funksionon në nxitjen e përgjigjes imune. Meqenëse teknologjia është e njëjtë me bazën e vaksinës Moderna’s Covid, së shpejti ndoshta mund të kemi dy vaksina”, theksoi Faucci.