Aktualitet Vaksina e re Novavax rezulton 89% efektive kundër variantit britanik

Vaksina e re Novavax rezulton 89% efektive kundër variantit britanik

Bota do të ketë shpejt një tjetër vaksinë të efektshme kundër koronavirusit. Eksperimentet e fazës së tretë, treguan se vaksina e zhvilluar nga britanikja Novovax ofron një mbrojtje prej 89.3 për qind nga Covid-19. Vaksina është gjithashtu e para që tregon efektshmëri ndaj variantit anglez të koronavirusit, në eksperimente.

Kryeministri Boris Johnson përshëndeti lajmin dhe tha se rregullatori britanik do të shqyrtonte të dhënat, për t’i dhënë më pas dritën jeshile vaksinës.

“Lajm i mirë që vaksina e Novavax ka treguar efektshmëri në eksperimentet e zhvilluara në Britaninë e Madhe. Rregullatorët tanë do të vlerësojnë tani vaksinën dhe nëse do të aprovohet ne do të sigurojmë 60 milion doza”, tha kryeministri Johnson.

Vaksina do të prodhohet në Stockton-on-Tees në verilindje të Anglisë. Mbi 15 mijë persona nga 18 deri në 84 vjeç morën pjesë në eksperiment, 27 për qind prej të cilëve mbi moshën 65 vjeçare.

Në pjesën afrikano-jugore të eksperimentit, ku shumica e rasteve ishin me variantin afrikano-jugor, vaksina tregoi efektshmëri prej 60 për qind.

Shefi ekzekutiv i Novavax i cilësoi rezultatet si spektakolare, ndërsa mbrojtja ndaj variantit afrikan-ojugor ishte përtej pritshmërive. Tjetër pikë e fortë e vaksinës se Novavax është se mund të ruhet në temperaturë normale frigoriferike, çka nënkupton se mund të shpërndahet më lehtësisht.

Britania ka porositur 60 milionë doza, të cilat pritet të jenë të disponueshme në gjysmën e dytë të vitit, nëse agjencia e rregullatore e barnave do të japë aprovimin për përdorim.

Mbretëria e Bashkuar ka miratuar deri më tani 3 vaksina kundër koronavirusit, atë të Oxford dhe AstraZeneca, të Pfizer dhe Biontech dhe Modernës.

Fushata e imunizimit në vend ka avancuar me ritme të shpejta, me 7.4 milionë persona të vaksinuar deri më tani. Krejt tjetër është situata në Europë, ku në disa zona vaksinimi është pezulluar për shkak të mungesës së dozave.

Por edhe pse Britania ka avancuar shumë me procesin e vaksinimit, sërish përhapja e Covid është e madhe dhe vendi po përballet me një krizë shëndetësore.