Bota Vaksina kineze premtonte shumë, por testimi pezullohet për shkak të një “incidenti...

Vaksina kineze premtonte shumë, por testimi pezullohet për shkak të një “incidenti të rëndë”

Autoritetet braziliane kanë pezulluar testimet për një nga vaksinat që dukeshin më të avancuara në luftën kundra kohës, për të kufizuar pandeminë.

Bëhej fjalë për vaksinën e krijuar nga kompania kineze Sinovac, që mendohej mund të konkurronte në shpejtësi dhe efikasitet atë të Pfizer dhe atë të Oksfordit.

Por testimet janë pezulluar në mënyrë të befasishme për një aksident të ndodhur me vaksinën, ende misterioz. Dihet kur episodi ka ndodhur, më 29 tetor, dhe se ngjarja ka shkaktuar një problem të rëndë shëndetësor për një nga personat që është ofruar vullnetar.

Normat e privatësisë janë shumë të rrepta për sa i përket testimit të vaksinave, por problematika mund të ketë qenë edhe fatale për personin në fjalë.

“Agjencia për Vigjilencën Shëndetësore (Anvisa) vendosi të ndërpresë provën klinike të vaksinës CoronaVac pas një incidenti të rëndë më 29 tetor”, theksoi ajo në një komunikatë.

Ajo nuk ka dhënë detaje për atë çfarë ka ndodhur, por theksoi se ky lloj incidenti mund të shkaktojë edhe vdekje, efekte anësore potencialisht fatale, një invaliditet të rëndë, një shtrim në spital dhe ngjarje të tjera klinikisht domethënëse.

Ky ndalim për CoronaVac, nga laboratori kinez ”Sinovac Biotech” ndodhi të njëjtën ditë kur gjiganti farmaceutik amerikan ”Pfizer” njoftoi se vaksina e saj kundër koronavirusit kishte arritur një efektivitet prej 90%.