Agjencia Europiane e Barnave po analizon vaksinën ruse Sputnik V, për autorizim të mundshëm për përdorim në Bashkimin Europian.
Në komentet për ligjvënësit e Parlamentit Europian, Drejtoresha Ekzekutive e EMA-s, Emer Cooke tha se agjencia po planifikon gjithashtu inspektime të komplekseve të prodhimit dhe klinikave në Rusi për t’u siguruar që prodhimi i vaksinës bëhet në kushte të përshtatshme.
Shumë ishin mosbesues, ndërsa Rusia filloi ta shpërndante atë në disa shtete europiane para se të vlerësohej nga agjencitë rregullatore, përfshirë EMA-n dhe Organizatën Botërore të Shëndetësisë.
“Shpresojmë që ajo të jetë një vaksinë e vlefshme për t’iu shtuar të tjerave që janë në dispozicion për popullatën europiane”, tha Cooke.
Ajo gjithashtu siguroi ligjvënësit e BE-së se agjencia ishte e angazhuar të zbatonte të njëjtat standarde dhe vëzhgime si për çdo vlerësim tjetër shkencor. Shefja e rregullatorit britanik tha gjithashtu se agjencia po shqyrtonte edhe vaksinat e prodhuara nga firma amerikane Novavax dhe ajo gjermane Curevac.
Cooke gjithashtu mirëpriti të dhënat e reja mbi vaksinën AstraZeneca të vëna në dispozicion nga një analizë në Shtetet e Bashkuara, duke thënë se është një informacion shumë premtues dhe tregon efikasitet më të lartë nga sa pritej.
Eksperimenti i kryer te rreth 32 mijë vetë, kryesisht në SHBA tregoi efektshmëri të lartë të vaksinës edhe tek të moshuarit. Por të martën zyrtarët federalë të shëndetësisë në SHBA thanë se rezultatet mund të kishin përfshirë “informacion të vjetëruar” dhe kjo mund të nënkuptojë që kompania ka dhënë një tablo jo të plotë të të dhënave për efikasitetin.