Në Moskë tani duket sikur ke marrë “makinën e kohës” dhe je kthyer në vitin 2019. Njerëzit ecin të shpenguar në rrugë dhe ambiente të tjera publike të hapura apo të mbyllura, pa maska dhe pa u kujdesur shumë për distancimin social.
Qendrat e vaksinimit janë gjysmëbosh, ndërsa lokalet të mbushura plot. “Çfarë duhet të bëj, të mbyllem në shtëpi? Nuk dua t’i humbas këto vite sepse askush nuk do të m’i kthejë”, thotë një vajzë, frekuentuese e jetës së natës. “Kjo vaksinë nuk është testuar mirë, është prodhuar shumë shpejt dhe nuk dua të rrezikoj. Nëse nuk do të jetë e detyrueshme të vaksinohesh për të udhëtuar, atëherë nuk do ta bëj”, thotë një tjetër.
Një reportazh emisionit “Report” në Rai3 tregon situatën në Rusi, vendin që po shpërndan në të gjithë botën vaksinën e vet “Sputnik V”, por që po has vështirësi për të vaksinuar popullsinë e vet. Në fakt, sipas “Our World in Data”, vetëm 6% e popullsisë kanë marrë të paktën një dozë, ose 8 milionë persona. Shifra aspak premtuese jep edhe një sondazh i “Levada Center”, një OJF ruse jashtë kontrollit të qeverisë, sipas të cilës vetëm 30% e popullsisë janë të gatshëm të marrin vaksinën.
“Arsyeja kryesore është se 60% e popullsisë nuk besojnë se koronavirusi është një sëmundje e rrezikshme. Arsye tjetër është se mendojnë që vaksina nuk është testuar mjaftueshëm”, Denis Volkov, nëndrejtor i “Levada Center”. “Putin e di mirë si ta bindë popullin e tij të bëjë diçka, kur dëshiron, por nuk është ky rasti. Ky është një vit zgjedhor, qeveria preferon të mos i irritojë njerëzit. Edhe vetë është vaksinuar thuajse në fshehtësi. E gjithë vëmendja për Sputnik është drejtuar jashtë Rusisë. Është një instrument gjeopolitik, ndoshta rezultati më i madh i arritur nga vendi që prej kohës së shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik”.
Praktikisht, Rusia ka pasur më parë vaksinën anti-Covid, sesa vetë Covid-19. Vladimir Gouschin, shefi i laboratorit të Instutit Gamaleya kujton ditët e para të prodhimit të saj. “Punimet i nisëm në shkurt 2020. Virusin këtu e solli një qytetar italian”. Ndërsa Alexander Semikhin, shefi i teknologjisë në Institutin Gamaleya thotë: “90% e stafit tonë vendosi të vaksinohej me Sputnik pa kryer testime. Kishim besim për shkak të përvojës sonë në këtë teknologji. Dhe siç e shihni, jemi të gjithë shëndoshë e mirë”.
Por pikërisht për shkak të mosrespektimit të procedurave etike, Agjencia Europiane e Barnave nuk e ka miratuar ende përdorimin e Sputnik V, edhe pse revista shkencore “Lancet” thotë se efikasiteti i saj është 92%.