Pfizer dhe Moderna po testojnë vaksinat e tyre të koronavirusit për të parë nëse ato funksionojnë kundër versionit të ri të virusit që është shfaqur kohët e fundit në Mbretërinë e Bashkuar dhe vendet e tjera.
Shefi i BioNTech, Ugur Sahin deklaroi se ai është i bindur që vaksina e kompanisë do të jetë efektive kundër variantit të ri të koronavirusit. “Gjasat që vaksina jonë të funksionojë janë relativisht të larta”, tha ai.
Sipas tij një përshtatje e vaksinës me variantin e ri të virusit që u shfaq në Britani “do të zgjaste gjashtë javë”.
Në deklaratën e tij ai pranoi se kërkohen më shumë kërkime në lidhje me mutacionin, i cili është i përhapur në Londër dhe juglindje të Anglisë.
Sahin tha se varianti i zbuluar në Britani të Madhe ka nëntë mutacione, dhe jo vetëm një siç ndodh zakonisht.
Ai shprehu besim se vaksina e zhvilluar së bashku me kompaninë Pfizer do të ishte efikase sepse “përmban më shumë se 1.000 aminoacide dhe vetëm nëntë prej tyre kanë ndryshuar, kështu që kjo do të thotë se 99 për qind e proteinave janë akoma të njëjtë”.
Sahin tha se po zhvillohen hulumtime për variantin e ri të koronavirusit, dhe rezultatet priten në dy javët e ardhshme.
“Bazuar në të dhënat e deritanishme, ne presim që imuniteti i shkaktuar nga vaksina Moderna të jetë mbrojtës ndaj varianteve të përshkruara kohët e fundit në Mbretërinë e Bashkuar. Ne do të kryejmë teste shtesë në javët e ardhshme për të konfirmuar këtë pritje”- thuhet në deklaratën e Moderna-s.
Pfizer tha se tani po “gjeneron të dhëna” se sa mirë mostrat e gjakut nga njerëzit e imunizuar me vaksinën e saj “mund të jenë në gjendje të neutralizojnë llojin e ri nga Britania e Madhe”.
Koronavirusi i ri ka pësuar mutacion edhe më parë, dhe të dy kompanitë thonë se kanë zbuluar se vaksinat e tyre funksiononin kundër variacioneve të tjera të virusit.
Deklaratat nga të dy kompanitë pasqyrojnë shqetësimin global në rritje për një variant të ri të koronavirusit të ri, që është përhapur me shpejtësi në Mbretërinë e Bashkuar.
Ekspertët nuk janë të sigurt për rëndësinë e këtij mutacioni, megjithatë një numër vendesh, kanë vendosur kufizime për udhëtarët në Mbretërinë e Bashkuar.