Kryeministri Edi Rama ka deklaruar se përveç përpjekjes për të finalizuar marrëveshjen për 360 mijë doza të vaksinës AstraZeneca, po bëhen përpjekje me dy shtete të tjera për të shtuar sasinë e vaksinave, por nuk bëri të ditur së për këtë vaksinë dhe shtet bëhet fjalë.
Nga aeroporti Nënë Tereza ku po pret mbërritjen e një sasie të dozave të vaksinave Pfizer, Rama theksoi se brenda marsit do bëhet lëvrimi i sasisë së mbi 40 mijë dozave dhe brenda 14 muajve synohet të vaksinohet e gjithë popullata.
“Brenda marsit do bëhet lëvrimi i sasisë së mbi 40 mijë dozave dhe vazhdojmë çdo ditë përpjekjen për të finalizuar një marrëveshjen me një shtet mik për një sasi 360 mijë dozash të Astrazeneca dhe jemi në komunikim intensiv dhe me dy shtete të tjera që të shtojmë sasinë e vaksinave dhe të mos kemi asnjë ndalim apo rënie të tempit, përkundrazi të rrisim tempin progresisvisht me objektivin që të vaksinojmë të gjithë popullatën brenda 14 muajve. Është objektiv ambicioz për faktin se çdo ditë lufta për të siguruar doza vaksinash është e fortë dhe sasitë në raport me kërkesat mbeten të vogla. Ne nuk hyjmë te ata që dorëzohem dhe kam besim që së shpejti do të kemi lajme shumë të mira”.
Rama: Po refuzojmë vaksinat ruse dhe kineze
Rama u shpreh se qeveria shqiptare ka refuzuar vaksinën kineze dhe ruse. Ai deklaroi se shteti shqiptar nuk do të hedhë hapa formalë drejt këtyre dy lloje vaksinash.
“Nuk i kemi këto vaksina në dispozicion dhe ne po i refuzojmë. Nuk kemi hedhur dhe nuk do të hedhim hapa formalë në drejtim të këtyre dy burimeve sepse jemi të vetëdijshëm se janë hapa që nuk kanë arsye objektive që të na çojnë në rezultat. Për më shumë nuk dua të komentoj”.
Kryeministri Rama pati sërish kritika ndaj Bashkimit Europian. Sipas tij, Maqedonia u detyrua që të kthente sytë nga Kina dhe Rusia për shkak të mungesave të dozave. Një tjetër shembull sipas tij është edhe Kosova. Kreu i qeverisë shtoi se sigurimi i dozave të vaksinave nuk është çështje parash dhe siguroi se do të sigurojë vaksinat për shqiptarët, por problemi qëndron me sasinë e vogël që është në dispozicion.
“Është fatalitet europian që Maqedonia kthen sytë nga Kina dhe Rusia në mungesë të dozave për të filluar. Kështu mund të numëroj shumë vende të tjera. Përfshirë vetë Kosovën. Sidoqoftë, duke e parë gjënë në dinamikë, të jeni të sigurt që bëmë lëvizjet mundshme për të siguruar vaksinën. Vaksina kineze është qartësisht e suksesshme. Mjafton të shikojmë Turqinë, Emiratet e Bashkuara, Arabia Saudite dhe mjafton të Shikojmë që të dhënat me efektet e saj janë shumë pozitive. Po kështu fjalët që thuhen për vaksinën ruse janë fjalë që bëjnë vlerësim pozitiv, ama shikoni vendet që janë shprehur se e kanë kthyer kokën në atë drejtim dhe nuk rezulton që pjesa më e madhe e tyre të ketë marrë vaksinën akoma. Këto analiza i bëjmë. Nuk është pozicion refraktar. Një gjë duhet ta dinë të gjithë. Nuk është çështje parash. Çmimet e vaksinave po rriten sepse kërkesat janë të ethshme dhe oferta shumë e vogël. Sado të rriten çmimet e vaksinave nuk ka mundësi që të lemë një dozë të vetme në dispozicion dhe të lemë një shqiptar të presë sepse çmimi është rritur”.
“Sigurimi i vaksinave, luftë politike. Varet edhe nga raportet personale”
Po ashtu Rama argumentoi se vaksinat ruse dhe kineze nuk janë prodhuar në sasi të mëdha dhe vendet që i kanë porositur po ashtu kanë pasur probleme. Sipas kreut të qeverisë sigurimi i dozave të vaksinës është çështje politike, ekonomike, tregtare mes vendesh, por edhe raportesh personale mes drejtuesve të shteteve të ndryshme.
“E kam ndjekur dhe këtë debat le të themi ose diskutim ose muhabet dhe dua të bëj një sqarim. Askush të mos mendojë që vaksina kineze apo ruse është në tezga që mjafton vetëm të shkosh dhe të paraqitesh e të paguash për ti marrë. Nuk është kështu. Edhe në një shtet që ka deklaruar në parim marrëveshje nuk ka marrë akoma gjë. Sasitë edhe për ato vaksina janë të kufizuara. Mbase është keqkuptuar apo interpretuar në një formë që nuk ka qenë adekuate dhe nuk është adekuate ajo që unë kam thënë duke harruar atë që kam thënë në krye të herës q ne nuk kemi asnjë arsye në botë, s’kemi asnjë mundësi që të vëmë në diskutim integritetin dhe profesionalitetin e shkencëtarëve rusë dhe kinezë. Nga pikëpamja e vlerës së këtyre vaksinave nuk kemi asnjë dyshim dhe kontestim. Kini parasysh që janë vaksina ende të paaprovuara në nivelin e OBSH. Kjo nuk do të thotë që ne po i rrimë larg se janë të paaprovuara. Ne nuk mendojmë dhe s’kemi arsye që ta mendojmë se duke qenë të linjëzuar krejtësisht me BE-në kemi ndonjë precedencë apo prioritet në radhën shumë të gjatë edhe për ato vaksina. Nuk kam ndryshuar mendim dhe arsyet janë ato që thashë. Nuk është çështje gjeopolitike në sensin banal të fjalës, por kjo është luftë politike në vetvete, jo për ne, në të gjithë planetin bëhet luftë politike për vaksinën. Është një luftë ekonomike, tregtare sepse nuk ka sasi. Sigurisht pas këtyre të dyjave është edhe një luftë që varet në mënyrë të drejtpërdrejtë nga niveli i marrëdhënieve të një vendi me një tjetër, dhe nga raportet personale. Duket çudi, por varet dhe nga raportet personale”.