Nga 15 nëntori, për të hyrë në çdo lloj objekti, ambiente të mbyllura ose të hapura, qytetarët në Maqedoninë e Veriut, do t’ju duhet të kenë dëshmi se kanë bërë dy doza të vaksinës.
Veç kësaj, qytetarët kanë mundësi të frekuentojnë këto objekte, nëse paraqesin një vërtetim se kanë kaluar koronavirusin në 45 ditët e fundit, duke e llogaritur nga dita e shërimit.
Ky vendim është marrë në seancën e Qeverisë të mbajtur më 26 tetor.
Ministria e Shëndetësisë u bëri thirrje qytetarëve t’i respektojnë masat dhe të jenë të përgjegjshëm, gjithashtu u bën apel atyre që nuk janë të imunzuar, që të vaksinohen sa më parë, pasi siç thonë vetëm në këtë mënyrë mund të arrihet imuniteti kolektiv.
Gjithashtu, ekzekutivi ka miratuar masa lehtësuese për organizimin dhe mbajtjen e seminareve, trajnimeve, kurseve, në pjesën e mbyllur të objekteve deri në 50 për qind të kapaciteteve të hapësirës.
Me vendim të qeverisë, lejohet edhe puna e bareve dhe klubeve të natës, si dhe objekteve hotelierike, në 50 për qind të kapaciteteve të hapësirave.
Ndërkaq, ende nuk ka ndryshim të masave në pikat kufitare, ku qytetarët do të vazhdojnë të paraqesin në çdo hyrje dhe dalje nga shteti, certifikatën e vaksinimit me dy doza, vërtetim për kalimin e Covid-19 në 45 ditët e fundit dhe test PCR në 72 orët e fundit.
Nga ky vendim përjashtohen qytetarët tranzit përmes Maqedonisë së Veriut.