Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, do të vaksinohet ditën e sotme, por Kremlini tha se procesi nuk do të filmohet dhe nuk do të shfaqet publikisht.
Zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov u tha gazetarëve në një konferencë për shtyp se Putinit nuk i pëlqen që të vaksinohet në kamera.
“Presidenti i kushton një pjesë mjaft të rëndësishme të kohës së tij punës ngjarjeve, bisedave, takimeve në lidhje me vaksinimin, prodhimin e vaksinave, e kështu me radhë. Prandaj, presidenti bën shumë për të promovuar vaksinën. Sa i përket vaksinimit në kamera, ai kurrë nuk ka qenë mbështetës i kësaj, nuk i pëlqen”, shpjegoi Peskov.
Zëdhënësi i Kremlinit shtoi se nuk dihet ende nëse Putini do të shkojë në një qendër të posaçme apo nëse një mjek do ta vizitojë atë në shtëpi ose zyrë.
Po ashtu, nuk dihet se cila vaksinë do të përdoret, por do të jetë një nga tre vaksinat ruse që janë aprovuar: Sputnik V, EpiVacCorona ose CoviVac.
“Ne qëllimisht nuk themi se çfarë lloj vaksine do të marrë presidenti, duke vërejtur se të trija vaksinat ruse janë absolutisht të besueshme dhe efektive”, tha Peskov