Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu njofton se në ditën e dytë janë thyer të gjitha pritshmëritë për sa i përket të vaksinuarve, duke raportuar se 20,414 persona kanë marrë vaksinën brenda 24 orëve të fundit
“Dita 2 e vaksinimit masiv përfundon me shifrën domethënëse, 20414 vaksinime, në të gjithë vendin Shqipëria Buzëqesh”, shkruan Manastirliu.
Disa ditë më parë, ministrja deklaronte se synoheshin të vaksinoheshin 10 deri në 15 mijë persona në ditë, por kjo shifër tashmë është kaluar në ditën e sotme.
Që prej fillimit të vaksinimit anti-Covid në total janë kryer mbi 95 mijë vaksinime.
Në ndihmë të procesit të vaksinimit janë edhe infermierët e ushtrisë. 192 mijë dozat e siguruara nga CoronaVac do të referohen kryesisht për moshat e treta, ndërsa në pritje janë edhe mijëra vaksina të tjera nga po e njëjta vaksinë kineze për të vijuar këtë proces të nisur që prej muajit janar.