Sot ka nisur vaksinimi krahas bluzave të bardha të Shkodrës edhe për të moshuarit. Të parët që kanë marrë dozën antiCovid kanë qenë disa të moshuar nga azili shtetëror i të moshuarve në qytetin veriperëndimor.
Prezent gjatë këtij procesi ka qenë edhe kryeministri Edi Rama.
“E kemi pas merak këtë punë, kështu që kushtet nëpër shtëpitë e të moshuarve kanë ndryshuar rrënjësisht dhe ajo që është e rëndësishme për ne është që ju të jeni mirë”, tha Rama.
“Në Europë është bërë nami në Shtëpitë e të Moshuarve, jemi fat që nuk jemi përballur me situata të tilla”, u shpreh Rama.
Më herët, në ambientet e Pallatit të Sportit nisi procesi i vaksinimit për bluzat e bardha të Shkodrës. Po ashtu do të vaksinohen edhe mjekë e infermierë nga spitali i Lezhës.
Ministrja Manastirliu njoftoi se të enjten do të nisë vaksinimi edhe në Vlorë. Ajo shtoi se ditët në vijim do të intensifikohet numri i të vaksinuarve.