Një qen i lezetshëm i një çifti nga Pensilvania, SHBA, shijoi vaktin më të shtrenjtë të jetës së tij disa javë më parë, pasi konsumoi kartmonedha me vlerë 4000 dollarë që pronarët e tij i kishin marrë nga banka dhe i kishin vendosur në banakun e kuzhinës së tyre në shtëpi.
Cecil, një qen i artë 7-vjeçar (Golden Retriever dhe Poodle cross), është zakonisht një qen shumë inteligjent, sipas pronarëve të tij, Clayton dhe Carrie Law. Edhe pse nuk ka prirje të përtypë gjëra dhe të bëjë dëme, duket se së fundmi ka vendosur të… provojë gjëra të reja. Fatkeqësisht për çiftin, një nga ato gjëra ishte shuma e madhe e parave që sapo kishin tërhequr nga llogaria e tyre e përbashkët bankare. Vetëm gjysmë ore pas tërheqjes së parave, qeni gjeti paratë në banak dhe filloi t’i përtypte dhe t’i gëlltiste.
“Papritur Clayton më bërtet ‘Cecil po ha 4000 dollarë!’. Mendova se nuk e kisha dëgjuar mirë. Pothuajse pësova një atak në zemër”, tha Carrie, duke folur për një gazetë lokale mbi ngjarjen.
Sipas The Guardian, ndërsa çifti ishte ende panik për të parë se çfarë kishte bërë Cecil, shumica e kartëmonedhave ishin tashmë në stomak dhe vetëm copa të shpërndara kishin mbetur në dysheme. Të shqetësuar për shëndetin e qenit të tyre, ata menjëherë thirrën veterinerin për të pyetur se çfarë duhet të bënin. Ai i qetësoi ata, duke u thënë që ta mbanin në vëmendje qenin për orët e ardhshme dhe nëse ai shfaq dobësi ose simptoma të tjera, t’ia sillnin për kujdes.
Disi më të qetë, çifti nisi përpjekjet për të “montuar” kartëmonedhat e grisura që ishin gëlltitur. Pasi folën me bankën – e cila u tha atyre se incidente të tilla ndodhin shpesh – atyre iu tha se kishte një mënyrë për t’i rikthyer paratë e tyre nëse paraqisnin pjesë të kartëmonedhave me numrin serial të dukshëm.
Për pjesën tjetër do të duhej të ndiqnin një proces shumë më të pakëndshëm, duke pritur që qeni ti nxirrte jashtë.
“Qëndronim te lavamani dhe lanim paratë e lyera me feçe, duke festuar kur gjenim një të tillë. Kishte erë kaq të keqe!”, thotë Carrie për përvojën e tmerrshme. “Nuk e prisja kurrë që të merresha me pastrim parash, por në fund të fundit për çdo gjë ka një herë të parë”, shtoi me humor.
Pas pastrimit dhe kontrollit të faturave të grisura, çifti arriti të kthente pjesën më të madhe të parave, duke humbur vetëm 450 dollarë.